Interi po argëtohet, Inzaghi “shpik” sërish. Çfarë mesazhi force për rivalët!

31 Gusht 2024
10:19
Alfred Lleshi
back button

Ndërsa orët e fundit të merkatos rrodhën me përpjekje të paepura, në pritje të gongut final, kur shumë skuadra ende aspironin – dhe aspirojnë, të mos harrojmë lojtarët e lirë – për të bërë lëvizjet e fundit, Interi “i vjetër” (në kuptimin që nga të rinjtë ka luajtur vetëm Taremi) bëri atë që donte ndaj Atalantës, duke i dhënë një sinjal shumë specifik kampionatit dhe rivalëve të tij.

Rezultati i ndeshjes, si ai i shkurtit të kampionatit të kaluar, është mbresëlënës. Ndoshta edhe më mbresëlënëse është mënyra se si e arriti 4-0, pasi jo pak njerëz kishin dyshuar pas barazimit në debutimin ndaj Genoa dhe fitores 2-0 ndaj Lecce, javën e kaluar.

Është e drejtë të kujtojmë se Atalanta ishte në një emergjencë, veçanërisht në mbrojtje, por Interi e dominoi lojën që në minutat e para të ndeshjes, me një dëshirë dhe agresion që ia prishi menjëherë planin Gasperinit.

“Orkestra” e Interit duket se nuk e ka humbur atë urinë që i kërkon Inzaghi nga dita e parë e sezonit të ri, sepse e di që një bark plot me dy yje është rreziku më i madh. Çdo gjë po merret shumë seriozisht tek Interi për një edicion që premton të jetë i vështirë, sepse kërkohet sërish titulli, maksimumi në Ligën e re të Kampionëve, pa harruar se rivalët, mbi të gjitha Juventusi, janë forcuar shumë.

Jo se Interi ishte i mbërthyer në tregun e transferimeve, por ata preferuan vlerën e ideve sesa blerjet për të shtuar diçka sa për numër. Inzaghi po punon për t’iu dhënë kundërshtarëve sa më pak pika referimi, gjë që e tregoi ndaj Atalantës. Fjala vjen, Dimarco nuk kufizohej në lëvizjen drejt krahut tjetër, shpesh centralizohej, duke u bërë pothuajse një mesfushor0sulmues.

Pavard u shfaq me zbritje të papritura për të rritur praninë e tij në mesfushën-sulmuese dhe aftësinë e zakonshme konkluduese të dy sulmuesve. E gjitha kjo me inteligjencën e zakonshme të tre mesfushorëve për të mbuluar vijën e mbrojtjes në rast të avancimeve edhe të ekzagjeruara (shih disa vrapime të Acerbit deri në zonën e Carnesecchi).

Kur Interi luan dhe argëtohet kështu, është e vështirë për të gjithë. Rivalët janë të paralajmëruar, edhe për shkak se fitoi me “poker” kundër Atalantës, duke llogaritur kapitenin Lautaro Martinez në 30-40% të mundësive të tij.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit