Interi pranon ofertën 65-milionëshe, por Icardi i bën “gjëmën” klubit

21 Gusht 2019
9:49
Alfred Lleshi
back button

21 gusht. Në Itali, kjo do të thotë edhe 12 ditë deri në mbyllje të merkatos. Dhe Mauro Icardi është ende një lojtar i Interit. Sidoqoftë, tashmë është i ditur qëndrimi zyrtar i klubit për të mos e llogariur më ish-kapitenin, pas 6 vitesh të përbashkëta. Megjithatë, përpjekjet për ta rrëmbyer Icardi nga Interi vazhdojnë. Janë të vazhdueshme dhe konstante. Nëse nuk do të varej nga lojtari, atëherë, ndoshta do të kishte dalë “tymi i bardhë”. Sepse, sipas “Corriere dello Sport”, zikaltrit e kanë pranuar ofertën prej 65 milionë euro të dërguar nga Napoli për bomberin argjentinas. 

Kur duket sikur të gjitha gjërat janë në rregull, pse nuk bëhet zyrtarizimi i transferimit? Jo, sepse për momentin nuk ka asnjë miratim të vetë sulmuesit, Icardi, i cili kurrë nuk ka menduar të largohet nga Interi (dhe mbi të gjitha nga Milano, ku dje njoftoi blerjen e një shtëpie të re). Edhe me koston e kalimit të muajve të tërë pa e vendosur asnjëherë këmbën në fushë. Një skenar që, në këtë pikë, bëhet gjithnjë e më i mundshëm dita-ditës.

Napoli nuk heq dorë nga ky objektiv, ndërsa mban mënjanë alternativën “Llorente”. Pra, vazhdon të presë sinjale ngushëlluese nga Mauro. Sa i përket marrëveshjes, nuk do të kishte shumë probleme nga ana e De Laurentiis për të përmbushur kërkesat e Icardi dhe bashkëshortes së tij, Wanda Nara. Por, siç u përmend, pengesa është vetë argjentinasi, dëshira e tij për të mos ndryshuar qytet dhe stilin e jetës. Për këtë arsye, të gjitha opsionet e tjera mbeten në pritje: nga Monaco te Juventusi. Edhe bardhezinjtë nuk janë më aq të vendosur në këtë drejtim, sepse po binden se zgjidhjen e duhur e kanë në shtëpi, Gonzalo Higuain. Me pak fjalë, gjithçka është e bllokuar. A do të lëvizë ndonjë gjë deri të hënën e 2 shtatorit? Gjithçka varet nga Icardi.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit