Interi pranon ulje çmimi për Lautaro, në “pazar” përfshihet Coutinho

11 Korrik 2020
10:39
Alfred Lleshi
back button

Interi është i gatshëm ta ulë çmimin për Lautaro Martínez, pasi verifikoi dëshirën e sulmuesit argjentinas për të nënshkruar me Barcelonën. Pasi kaloi afati i klauzolës prej 111 milionë eurosh, që sulmuesi argjentinas të largohej nga klubi zikaltër, tani Interi është gati të negociojë një çmim të ri për Lautaro Martínez.

Sipas raporteve të sotme të “Corriere della Sera”, tani klubi nga “San Siro” kërkon rreth 90 milionë euro për argjentinasin. Një shifër që është larg nga 111 milionë eurot, që parashikonte klauzola, por, referuar situatës së tregut në futboll, pas Covid-19, ende duket e lartë për përfaqësuesit e Barcelonës. Prandaj, nuk përjashtohet mundësia që një lojtar blaugrana të përfshihet në operacion.

Fakti që Lautaro Martínez ka treguar dëshirën për të luajtur te Barcelona dhe paraqitjet e fundit të tij, mjaft zhgënjyese, duket se i ka detyruar drejtuesit e Interit të rishqyrtojnë çështjen dhe ta ulin çmimin e sulmuesit argjentinas. Interi dëshiron të rikuperojë sa më shumë që të jetë e mundur nga ato 111 milionë euro, që sulmuesi i kishte si klauzolë, por Barcelona do të vazhdojë të bëjë presion për ta ulur më tej çmimin. Tani për tani, ulja është prej rreth 21 milionë euro, e cila mund të jetë më shumë nëse një lojtar, që iu intereson italianëve, përfshihet në operacion.

Pikërisht, në orët e fundit, figura e Philippe Coutinho është rishfaqur. Pasi të mbarojë huazimin me bavarezët, braziliani duhet të sistemohet diku tjetër. Barcelona synon ta shesë, ose ta përfshijë në ndonjë operacion tjetër. Duket se Interi e pëlqen këtë mundësi, duke ditur se Coutinho ka luajtur më parë atje, madje shkëlqyeshëm.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit