Interi shmang humbjen ndaj Monza, Inzaghi mbron zgjedhjet e tij: Asllani bëri si e kisha udhëzuar!

16 Shtator 2024
1:50
Telesport
back button

Interi ndalet dhe barazimi 1-1 në transfertë ndaj Monzës i dha mundësi Napolit të Contes të marrë kreun e renditjes në Serie A. Skuadra e Inzagit – me mendjen nga Champions, teksa ditën e mërkurë do të përballet me Manchester Cityn në transfertë – u duk totalisht e fikur dhe madje një gol i Dumfries në fund i shpëtoi nga humbja e parë në Serie A. Por u kritikuan shumë sidomos zgjedhjet e trajnerit Inzaghi sidomos pasi mbajti në stol Barella dhe Calhanoglu, por edhe Bastonin. Natë ku Lautato dhe Thuram u dukën hija e vetëvetes teksa mesfusha pa titullarë Asllanin dhe Frattesin.

Trajneri Inzaghi analizoi ndeshjen: “20 minutat e parë ishin mjaft të mirë, ne krijuam shumë raste dhe duhet ta kishim zhbllokuar rezultatin atëherë. Ishte e ngjashme si sezonin e kaluar, por ne atëherë morëm herët avantazhin por nuk e bëmë këtë herë”, ka thënë Inzaghi fillimisht.

“Pas kësaj, ne ishim të ngadaltë me topin, nuk kishim mjaftueshëm kualitet në pasimin e fundit dhe ndoshta duhet të kishim tentuar më shumë goditje dhe jo të shkojmë për asistimin”.

“Monza u mbrojt thellë, ne duhet të kishim bërë më mirë në drejtimin tonë. Jemi të zhgënjyer, por shikojmë përpara”.

“Frattesi dhe Asllani kanë bërë atë që iu është kërkuar, ekipi ka luajtur ashtu siç deshëm dhe ndoshta e kemi merituar fitoren, por Monza punoi shumë dhe u mbyllën mirë në mbrojtje”, përfundoi italiani.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit