Interi vazhdon të besojë tek Asllani; ka refuzuar edhe oferta 25 milionëshe për shqiptarin

19 Dhjetor 2024
8:55
Alfred Lleshi
back button

Nga njëra anë është bindja se ai mund të bëhet një futbollist i jashtëzakonshëm. Nga ana tjetër, shpresa që më në fund të vijë shkëndija përfundimtare, e cila do t’i japë atij atë aurë kampioni, si dhe sigurinë që mund të bëhet vendimtar në vazhdimësi, me fanellën e Interit.

Kristjan Asllani është thirrur të bëjë hapin tjetër të madh. Sipas asaj që është mësuar nga “FcInterNews”, klubi i “Viale della Liberazione” vazhdon të ketë besim tek ish-lojtari i Empolit, aq sa ka refuzuar oferta të shumta që ka marrë gjatë këtyre viteve nga Italia dhe nga jashtë. Madje, disa prej tyre kanë ardhur menjëherë pasi ai mbërriti në Milano.

Në veçanti, klubi ka thënë: “Jo, faleminderit” ndaj një oferte prej 25 milionë eurosh për Asllanin, pikërisht sepse djaloshi i rritur në Buti mund të përfaqësojë një element kyç të mesfushës së Simone Inzaghit për vitet e ardhshme.

Të kesh përpara një lojtar si Hakan Çalhanoglu është mundësi për të mësuar dhe përmirësuar çdo ditë, por sigurisht që i heq hapësirë zëvendësuesit të tij (aq sa ndoshta shqiptari nuk do të jetë titullar as në Kupën e Italisë kundër Udinese).

Në çdo rast, këto muaj do të jenë vendimtarë për Kristjanin, i cili ka si objektiv të bëhet edhe më i rëndësishëm në projektin zikaltër. Përndryshe, nëse verën e ardhshme do të mbërrijnë oferta të rëndësishme për 22-vjeçarin (i cili gjithsesi sapo ka rinovuar kontratën, duke treguar besimin që klubi ka ndaj tij), ato mund të merren parasysh dhe të pranohen.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit