Dukej se ishte koha e duhur për të shuar tabunë e “Marasi”, por edhe këtë herë Interi i Simone Inzaghit u kthye nga Genoa vetëm me një barazim (2-2). Madje, kampionët e Italisë u gjendën në disavantazh, por në fund përmbysën falë një dopiete të Marcus Thuram. Më pas, një naivitet i Bisseck, i cili për të thënë të vërtetën ishte ndër më të mirët në fushë deri në atë moment, çoi në penalltinë, e cila rezultoi në barazimin 2-2 nga ish-lojtari i kuqezinjve, Messias.
Por çfarë nuk funksionoi për Interin kundër Genoa? Disi çuditërisht, portieri zviceran duhet përmendur ndër lojtarët më të këqij zikaltër, edhe pse ka qenë një nga protagonistët e mëdhenj pozitivë në sezonin e yllit të dytë.
Është e qartë se nuk ka vend për çdolloj alarmi, por Sommer gaboi shumë kundër Genoa. Goli i parë i Vogliacco, për shembull, erdhi gjithashtu për shkak të pavendosmërisë së tij. Gabime me të cilat tifozët zikaltër nuk ishin mësuar. Portieri helvet më pas ndali penalltinë e Messias, para goditjes së dytë fituese të brazilianit.
Për momentin, Sommer mbetet i patundur si titullar mes shtyllave për Interin, por ardhja e Josep Martinez mund të ushtrojë presion mbi numrin 1 të Zvicrës. Një shkarje pati edhe Bisseck. Mbrojtësi gjerman, ndër më të mirët e parasezonit të zikaltërve, u shpërblye nga Inzaghi me fanellë titullari edhe për shkak se Pavard nuk është në më të mirën e tij.
Zgjedhja e trajnerit ishte ajo që kishte dhënë rezultat, të paktën deri në minutën e 93-të, kur vetë shkaktoi një penallti shumë të shmangshme duke e prekur topin me dorë në mes të zonës.
Një gabim të cilin Inzaghi e nënvizoi edhe në fund të ndeshjes: “Ai luajti një ndeshje të shkëlqyer, në fund nuk ishte aq i kthjellët sa 70 minutat e para. Desha ta zëvendësoja me Pavard, por kur dyfishuam epërsinë preferova ta mbaja atë në fushë, sepse Genoa po fuste në lojë shtatlartë dhe unë do të kisha humbur disa centimetra”.
Para ndeshjes, Marotta qetësoi Inzaghin dhe tifozët duke premtuar përforcime për prapavijën. Dhe në fakt diçka pas këtij Interi duket se mungon. Edhe për shkak se De Vrij nuk ishte aty kundër Genoa, i dëmtuar, ndërsa Acerbi nuk është ende në gjendje optimale pas operacionit që kreu në qershor për dhimbjet në ijë.
Në fund të ndeshjes ishte vetë Bastoni, ai që nënvizoi se duhet një përforcim shtesë në prapavijë: “Duket qartë se duhet një asistent imi, sepse nuk mund të ruash formën pa asnjë minutë pushim. Pastaj nuk e dimë se kur do të përfundojë sezoni i ri. Kupa e Botës për Klube i shton në maksimum ndeshjet sezonale, ndaj nevojiten dy lojtarë për çdo pozicion”.
Dhe pastaj është ai, një nga besnikët e Inzaghit, njeriu nga i cili trajneri nuk heq dorë kurrë në mes të fushës. Kundër Genoa, megjithatë, Mkhitaryan, ndoshta për shkak të ngarkesës së punës, u shfaq i paqartë, ashtu si edhe shoku i tij i skuadrës, Calhanoglu.
Aktivizimi i Frattesi si zëvendësues i dha gjallëri më të madhe mesfushës zikaltër, pa harruar se ishte ish-lojtari i Sassuolos ai që dha asistin për 1-2 e përkohshëm të Thuram. Megjithatë, në sulm, Lautaro Martinez pati vështirësi, ende dukshëm në gjendje të keqe, pas sforcimit veror në Kupën e Amerikës me Argjentinën.
Nuk ka alarme, sigurisht, jemi vetëm në mes të gushtit. Por, për t’iu rikthyer “fluturimeve lart”, Interit i duhet “Toro” i vërtetë sa më shpejt të jetë e mundur.