“Inzaghi bën mirë që e ngre zërin”, Zhang nën akuzë: “Inter-i nuk është supermarket”

14 Gusht 2022
11:56
Denis Hakanaj
back button

Inter-in e priste një provë aspak e lehtë në javën e parë të kampionatit. Zikaltrit, në fakt, duhej të luanin në fushën e Lecce-s dhe duhej të përballeshin me entuziazmin dhe energjinë e një skuadre që sapo është ngjitur në Serinë A.

Dhe, në fakt, pavarësisht golit të shpejtë të Lukaku-t, ndeshja nuk ka qenë aspak e lehtë për skuadrën e Inzaghi-t, me fitoren që ka ardhur në minutën e fundit falë një goli të Dumfries.

Kështu, Inter-i ka arritur të marrë në shtëpi tri pikë shumë të rëndësishme, për nga mënyra si kanë ardhur dhe për të mos humbur terren ndaj rivalëve që në javët e para.

Megjithatë, kjo nuk është e vetmja temë e nxehtë në shtëpinë zikaltër. Merkato është akoma e hapur dhe mundësia e një shitje të rëndësishme nuk është larguar.

Bëhet fjalë për Milan Skriniar, i cili ka përfunduar prej kohësh në shënjestrën e Paris Saint-Germain, por për të cilin interesohet edhe Chelsea.

Trajneri Inzaghi ka folur qartë dhe ka bërë të ditur se nuk do që asnjë nga yjet e tij të largohet, madje, të merret edhe një qendërmbrojtës tjetër për të zëvendësuar Andrea Ranocchia-n.

Por financat e klubit milanez nuk janë shumë të mirë dhe, në rast të një oferte të rëndësishme për Milan Skriniar, siç ka shkruar La Gazzetta dello Sport, presidenti duhet të ketë parasysh edhe mendimin e trajnerit të tij.

Megjithatë, menaxhimi i Zhang vazhdon të marrë shumë kritika. Për këtë ka folur edhe gazetari Pepe Ferrario, i cili ka shkruar në Twitter:

“Zhang duhet të japë siguri! Siguri! Inter-it i duhet stabilitet dhe siguri. Inter-i nuk është një supermarket”, ka shkruar Ferrario.

“Inzaghi bën mirë që ngre zërin: skuadra, të paktën, duhet të mbetet kjo që është tani”. Domethënë, fjalë aspak të ëmbla që shprehin mendimin e shumë tifozëve.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit