Inzaghi: Bëra 8 ndryshime në formacion, por nuk ra në sy fare: Kam 25 startues, e them gjithmonë këtë

20 Dhjetor 2024
8:56
Alfred Lleshi
back button

Simone Inzaghi komentoi në konferencën për shtyp fitoren 2-0 të Interit ndaj Udinese, në raundin e tetë të Kupës së Italisë.

Cila është përgjigja më e mirë që keni marrë këtë mbrëmje?
Për një trajner, të bësh kaq shumë ndryshime dhe të shohësh skuadrën që luan kështu është sinjal shumë i mirë. Sidoqoftë, nuk kisha dyshime. E nisëm mirë ndeshjen kundër një kundërshtari që luajti në sulm, siç bëri me Lucca dhe Sanchez.

Si janë Barella dhe Acerbi?
Acerbi është më përpara se Pavard; do të shohim nëse mund të rikthehet për ndeshjen me Cagliarin. Për Barella do të shohim nëse mund ta kemi kundër Como, por jep sinjale të mira. Pavard ka nevojë për disa ditë më shumë, por po punon mirë. Do të përpiqemi ta kemi për Superkupën, por nuk kemi siguri.

Si është Lautaro? A nevojiten golat e tij dhe të Taremi?
Ishte përtokë pas një përplasjeje, por nuk është asgjë shqetësuese. Për Taremin, të zhbllokohej me një aksion do të ishte e rëndësishme. Ata nuk po shënojnë shumë, por performancat e tyre janë bindëse. Të dy e kanë ndihmuar shumë skuadrën. Si trajner jam i qetë, sepse ata luajnë për ekipin.

Çfarë mund të thoni për Correa?
Të dielën do të hynte në 20 minutat e fundit kundër Lazios, por më pas bëmë zëvendësimet e detyruara me Dimarco dhe Barella. Mori një goditje në stërvitje dhe preferuam të mos e rrezikojmë sonte.

Një vlerësim për Arnautovic? Ai ka qenë në qendër të thashethemeve të merkatos…
Ai është lojtar i rëndësishëm, e keni parë edhe sonte, ndaj nuk ka nevojë për prezantim. Arnautovic e di që unë duhet të marr vendime, por gjithashtu e di që duhet të vazhdojë kështu.

A ka mësuar skuadra nga eliminimi kundër Bologna?
E kemi thënë që në fillim, e dimë që do të ketë vështirësi, sepse kemi shumë angazhime. Gjithsesi, kam fatin të kem një grup lojtarësh të shkëlqyer, duhet të vazhdojmë kështu, duke e ditur që pas 4 ditësh kemi një tjetër ndeshje, më pas më 28 dhjetor dhe pastaj Superkupën.

Skuadra nuk duket se bie ndonjëherë në vështirësi…
Çdo ditë përmirësohemi. Të hënën fituam bindshëm, por të martën e analizuam, sepse mund të kishim bërë më mirë në disa situata. Sonte kishim përballë një kundërshtar me vlera, që erdhi për të luajtur një ndeshje të rëndësishme. Bëra 8 ndryshime në formacion krahasuar me të hënën dhe kjo nuk u vu re. Udinese ka lojtarë të rëndësishëm dhe kjo u pa. Ekipi im qëndroi gjithmonë i përqendruar dhe jam shumë i kënaqur me paraqitjen e kësaj mbrëmjeje.

Sa e rëndësishme është të keni vazhdimisht përgjigje nga skuadra për përqendrimin dhe agresivitetin, duke parë konkurrencën e Atalantës dhe Napolit?
Sigurisht që ne po vrapojmë, por po vrapojnë edhe ekipet e tjera. Dy ekipet që përmendët janë të parët, por mendoj edhe Fiorentinën, Lazion, Juventusin, Bologna, Milanin. Gjithmonë kam thënë që ky kampionat do të ishte i hapur dhe jo si dy të fundit. Vështirësitë janë çdo ditë, duhet të jesh i zoti për t’i rikuperuar energjitë. Dua të kem gjithmonë lojtarë të disponueshëm, po i alternoj edhe për këtë arsye. Kemi disa probleme në mbrojtje, na mungojnë Acerbi dhe Pavard prej një muaji. Sonte kërkova një sakrificë nga Bastoni dhe ishte i shkëlqyer. Edhe Bisseck, Darmian dhe De Vrij po ofrojnë shumë siguri.

Shkëmbimi midis Taremit dhe Arnautovic ishte instinkt apo punë në stërvitje? Kush ishte më i mirë në atë rast?
Ishin të shkëlqyer. Mendoj se aty kishte pak nga skema, përveç drejtimit që duhet të marrë Taremi, gjë që ia themi gjithmonë. Të dy ishin fantastikë. Taremi bëri shumë mirë, edhe Arnautovic bëri një lëvizje të shkëlqyer. Janë lojtarë ndërkombëtarë, nuk më habisin as ata dhe as performancat e Lautaros, Thuram ose Correa. Duhet të vazhdojnë kështu, duke ditur që kemi shumë ndeshje dhe të gjithë janë të rëndësishëm për ne.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit