Simone Inzaghi ishte i kënaqur me fitoren 2-0 ndaj Feyenoord-it, e cila pothuajse siguron kualifikimin në çerekfinalet e Champions League. “Djemtë u treguan të shkëlqyer, nuk ishte e lehtë në një stadium të vështirë, ku e dinim që do të duhej të vuanim, – shpjegoi trajneri i Interit për “Amazon Prime Video”. – Skuadra nuk vuajti shumë, por kur erdhi momenti, qëndruam të bashkuar. E dimë që kemi një ndeshje kthimi pas 6 ditësh dhe ndërkohë një sfidë në kampionat para saj. Këto janë rreziqet, por jam shumë i kënaqur”.
Asllani dhe Zielinski – “Bënë atë që prisja prej tyre. Nuk kam pasur kurrë dyshime për ta, por një trajner është gjithmonë në pozicionin e marrjes së vendimeve, jo vetëm në ditën e ndeshjes. Megjithatë, bënë një paraqitje të shkëlqyer. Çalhanoglu dhe Mkhitaryan luajtën tri ditë më parë në Napoli, ndaj u përpoqa të ndryshoja pa e transformuar skuadrën. Do të vazhdoj të veproj kështu, sepse jemi të lumtur që luajmë kaq shumë ndeshje. Duhet të vazhdojmë kështu”.
Fillimi i vështirë – “Duhet të marrim parasysh edhe kundërshtarin, i cili është një ekip me cilësi. Luante me katër sulmues dhe kur pamë formacionet, e dinim që Paixao nuk do të rrinte në krah, por do të merrte një pozicion tjetër. Në fillim nuk i ruajtëm gjithmonë distancat, siç duhej, nuk e qarkulluam topin siç dimë. Sidoqoftë, kur luan në këto stadiume, kundër ekipeve të tilla, është e natyrshme të vuash. Më pas djemtë u riorganizuan mirë në fushë, pasi folëm qartë për këtë. Dy golat na e lehtësuan fitoren e kësaj ndeshjeje të rëndësishme, por e dimë që kemi fituar vetëm aktin e parë. Akti i dytë do të luhet të martën në ‘San Siro’, edhe atje duhet të fitojmë”.







