I pranishëm në Piacenza, në qytetin e lindjes, për të marrë një çmim pas titullit të fituar me Interin, Simone Inzaghi u ndal tek e ardhmja e tij: “Na kanë mbetur edhe dy ndeshje, më pas do të takohemi me klubin për rinovimin.
Fitimi i kampionatit pesë ndeshje para fundit ishte diçka e mrekullueshme. Tifozët janë treguar të mrekullueshëm me mbështetjen e tyre. Rruga jonë do të jetë e vështirë të përsëritet, por të gjithë duam që gjërat të vazhdojnë në një drejtim pozitiv”.
Inzaghi është krenar për atë që ka arritur te zikaltrit: “Tri vite më parë, kur mbërrita tek Interi, të mendoja për të fituar 6 trofe dhe luajtur një finale të Ligës së Kampionëve ishte diçka e vështirë për t’u imagjinuar.
Megjithatë, kisha shumë shpresa, e dija se do të gjeja një klub të fortë me menaxherë shumë të aftë. Pavarësisht vështirësive, e dija që ata do të ndërtonin një ekip konkurrues. Së bashku bëmë gjëra të rëndësishme, e gjitha kjo do të mbetet në kujtesën time përgjithmonë”.
Më pas i ngacmuar për rifinancimin e klubit zikaltër (ka një negociatë në vazhdim me “Pimco”), Inzaghi u përgjigj kështu: “Duhet të jem i sinqertë, ne kemi qenë gjithmonë të qetë. Presidenti Zhang nuk ka lejuar kurrë të na mungojë asgjë. Këtë vit nuk ka qenë i pranishëm fizikisht, por kurrë nuk ka reshtur së biseduari me ne çdo javë. Gjithmonë na ka ndihmuar, unë kurrë nuk kam pasur ndonjë problem me të”.