Inzaghi, heroi i Athinës më 2007. Ai nuk duhej ta luante finalen e hakmarrjes

23 Maj 2020
9:54
Alfred Lleshi

Ka ngjarje në futboll, që thjesht nuk mund të harrohen. Udhëkryqe që kthejnë një karrierë të tërë, që shkruajnë historinë e një klubi. Ka edhe lojtarë që janë të aftë të shkojnë përtej trupit të tyre me një forcë mbi mesataren mendore. Ajo e Filippo Inzaghi më 2007 është histori klasike e paracaktuar e një lojtari që duhej të ishte në vendin e duhur pikërisht në kohën e duhur, me çdo kusht.

Nga ana tjetër “Superpippo” ka ndërtuar një karrierë të tërë me këtë filozofi, duke u gjendur në kohën e duhur në vendin e duhur. Kjo veti e ka bërë të frikshëm për mbrojtjet kundërshtare. Edhe atë natë të 23 majit 2007, plot 13 vite më parë, ish-sulmuesi i Milanit duhej të ishte në fushë, pavarësisht gjithçkaje që përflitej për të kundërtën.

Pakkush e mban mend që Inzaghi ishte në dyshim deri në minutën e fundit para fillimit të lojës më 23 maj 2007. Një lëndim e kishte lënë jashtë disa ditë më parë dhe të gjithë tani po shtynin Alberto Gilardino si startues në sulmin kuqezi. Të gjithë, përveç njërit: Carlo Ancelotti. Trajneri në fjalë anoi kundër stafit mjekësor dhe menaxhmentit, duke u përqendruar edhe një herë te nxënësi i tij, i vetëdijshëm se fryma dhe uria e numrit 9 do të shkonin përtej problemeve fizike në ndeshjen më të rëndësishme.

Në prapaskenë u tha vite më vonë nga Adriano Galliani, udhëheqësi historik i “Djallit” në vitet e arta: “Mbrëmja para finales së Athinës ishte e paqartë për Milanin. Inzaghi nuk po vazhdonte të jepte shenja rikuperimi të plotë. Unë i thashë Carlo Ancelotti se mbase ishte më mirë të luante Gilardino. Trajneri m’u përgjigj: Pippo, edhe nëse nuk është në top-formë, është i aftë që nesër të shënojë dy gola. Dhe kështu ndodhi në fakt. Një ditë më pas, Inzaghi shënoi dy herë dhe ne fituam Ligën e Kampionëve kundër Liverpool”.

Vetë Inzaghi tregoi më vonë fjalët e Ancelotti në prag të asaj finaleje, kur e mori mënjanë: “Trajneri më mori veçmas dhe më tha: Nuk kam dyshime, nesër do të luash ti. Unë nuk isha mirë, isha akoma gjysma i rikuperuar. Pra, ndodhesha nën një presion të madh”.

Sidoqoftë, ai presion e ka nxitur gjithnjë të ketë uri për gola, çka për të është më unike sesa e rrallë. Dhe ai teatri magjik në Athinë, ku Barcelona u shua bashkë me Cruyff 13 vite më parë, më 1994, përsëri do të bëhej një shtëpi e dytë e ëmbël për ngjyrat kuqezi.

Nga Massaro te Pippo Inzaghi u shkruajt historia. Numri 9 zbukuron fushën dhe përfundon një hakmarrje të ftohtë e të kthjellët kundër Liverpool-it, që dy vjet më parë i kishte shkaktuar makthin më të madh sportiv “Djallit”, në atë mbrëmje të mallkuar të Stambollit, ku vetë Inzaghi nuk e doli në fushë për shkak të një dëmtimi tjetër.

Këtë herë nuk mungoi. Talenti nga Piacenza i shtrëngoi dhëmbët dhe vuri vulën personale me dy gola, saktësisht siç pritej nga mësuesi i tij, Ancelotti. Pastaj ulërima e gëzimit, shqetësimet fizike tani janë një kujtesë e venitur. Çlirimi i një njeriu, që kishte rrezikuar të kalonte edhe këtë datë të shkëlqyer në stol, sin ë Stamboll. Në vend të kësaj, aty në Athinë arriti pikën më të lartë të karrierës së tij.

Në vendin e duhur dhe në kohën e duhur. Edhe një herë, në momentin më të rëndësishëm. Kthimi i një fati që dukej negativ. Inzaghi bëri histori, duke fshirë makthin e Stambollit dhe duke vulosur përgjithmonë një “ditëlindje të dytë” në jetën e tij. 23 maji, pas vitit 2007, do të jetë përgjithmonë nata e “Superpippos”.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit