Disa piktura, disa mobilje dhe një grusht zbukurimesh. Po ashtu një imitim të trofeut të titullit të Serie A, me madhësi reale, e marrë në shtëpi pas festës së titullit në maj 2024. Përbërja e sallonit të shtëpisë së Simone Inzaghit është kjo. Nëse nuk jemi të sigurt për ngjyrat e mobiljeve, konfirmohet prania e “veshjes” së fortë të gjithçkaje me motive nga Interi.
Vetë trajneri kampion i Italisë (2023-2024) ka rrëfyer, në fakt, se ka një kupë të madhe në dhomën e ndenjes, të marrë gjatë festës zikaltër të titullit, e cila pa mijëra tifozë në rrugët e Milanos.
Yllin e dytë e festoi me shumë fansa, që mezi prisnin “të deheshin” për herë të parë së bashku që nga viti 2010, pas ndalimit të festimeve, për shkak të Covid-it, gjatë titullit të fituar me Antonio Conte.
“Pas festës së titullit pashë një baba dhe një fëmijë që mbanin një kupë të madhe në duar, imitim i trofeut të titullit që jep Serie A, – tha Simone Inzaghi për “Cronache di Spogliatoio”. – Atë ditë do të kisha dashur t’i merrja të gjithë fansat në shtëpi, por duke qenë se nuk ishte e mundur, mora kupën në fjalë. Është ende sot e kësaj dite në dhomën e ndenjes së shtëpisë sime”.
Në çdo festë titulli, protagonistët shpesh marrin në shtëpi një dhuratë ose relike të dhuruara nga fansat. Këtë herë, Inzaghi preferoi të merrte kupën e përgatitur nga dy fansa zikaltër, babë e bir.
Në sezonin 2024-2025, Interi do të përpiqet t’i japë Simone Inzaghit një tjetër titulll, të dytin në karrierën e tij si trajner. Ai i pranverës 2024, në fakt, ishte i pari, i ardhur pas vitesh përpjekjesh.
Inzaghi fitoi Kupën e Italisë dhe Superkupën e Italisë në disa raste, ndërsa në nivel evropian arritja e tij më e madhe ishte finalja e Ligës së Kampionëve 2023, të cilën megjithatë e humbi 1-0 ndaj Manchester City.