Inzaghi: Komplimente Milanit. Humbje e dhimbshme, por kjo skuadër gjithmonë është ngritur

7 Janar 2025
8:32
Alfred Lleshi
back button

Simone Inzaghi po përpiqet të përballojë dhimbjen pas humbjes së jashtëzakonshme me përmbysje në Superkupën Italiane ndaj Milanit: “Duhet t’i bëjmë komplimente Milanit, i cili nuk u dorëzua kurrë dhe qëndroi në lojë, pavarësisht disavantazhit prej dy golash. Sigurisht, në aksionin e golit të 2-1 humbëm një top, që duhet ta kontrollonim.

Mund të kalonim në 3-1, por Maignan ishte i shkëlqyer ndaj Carlos dhe Dumfries, më pas pësuam golin e 2-2 dhe e humbëm ndeshjen. Është një humbje që dhemb, po kthehemi në shtëpi me shumë zhgënjim. Në 2-0 duhet ta kishim menaxhuar më mire lojën, por kjo skuadër do të ngrihet sërish, siç ka bërë gjatë tri viteve e gjysmë të fundit. Kjo disfatë na djeg shumë, por tani duhet t’ia fillojmë nga e para në mënyrën më të mirë”.

Skuadra e tij e hodhi poshtë avantazhin kur ndeshja dukej e kontrolluar: “Në pjesën e parë, teknikisht mund ta menaxhonim më mirë topin, bëmë disa gabime të tepruara. Në pjesën e dytë, ndryshimet kishin ndikim, sepse u futën lojtarë më energjikë dhe shumë sulmues. Duhej ta menaxhonim më mirë situatën, në epërsinë 2-1 patëm rastin e shtyllës së Carlos dhe më pas topin e Frattesi, që u kthye te Dumfries.

Është një humbje e dhimbshme, nga e cila mund të mësohet. Do të nxjerrim mësime, unë i pari, sepse është shumë e dhimbshme të humbasësh një finale me dy gola avantazh”.

Në Arabinë Saudite, Interi humbi jo vetëm Superkupën, por edhe dy lojtarë të rëndësishëm si Thuram dhe Calhanoglu: “Pa dyshim që janë shumë të rëndësishëm për ne. Në futboll ka lojtarë të pazëvendësueshëm, por nuk duhet të jetë rasti ynë. Duke luajtur çdo tri ditë, kemi nevojë për të gjithë. Tani presim që të rikthehen edhe mbrojtësit, të cilët do të na ndihmojnë. Të gjitha skuadrat luajnë shumë, duhet t’i alternojmë lojtarët për të shmangur humbjen e tyre”.

Gjithashtu, De Vrij u detyrua të largohej për shkak të një shqetësimi muskulor: “Bastoni? Ai tha se mori një goditje në fytyrë dhe për 5-6 minuta nuk ishte në formën më të mirë, ndërkohë që De Vrij më tha se kishte një problem në muskul. Në atë moment, Bastoni më dukej më i gatshëm për ta përfunduar ndeshjen sesa De Vrij”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit