Inzaghi “ndez motorët” për sezonin e ri: Tri përforcime të rëndësishme, skuadra më jep siguri. Na duhet edhe një mbrojtës

14 Gusht 2024
8:47
Alfred Lleshi
back button

Serie A nis të shtunën, me një ekip kampion në fuqi që ka tashmë dy yje në fanellë. Trajneri i Interit e pret me padurim debutimin kundër Genoa. Për Simone Inzaghin, ekipi i tij është gati, i pjekur dhe i përqendruar, në përpjekje për të përsëritur veten. Me vetëdijen se do të jetë edhe më e vështirë: “Angazhimi ynë do të duhet të jetë edhe më i madh, por jam shumë i kënaqur me punën e bërë deri tani”.

Për Inzaghin “skuadra jep siguri”, prurjet e reja “janë të rëndësishme” dhe drejtuesit janë gati të ndërhyjnë për të kapur mundësitë e tregut: “Kemi mungesë në mbrojtje, duke pasur parasysh dëmtimin e Buchanan. Po flasim për këtë me klubin, kam drejtues të fortë pas vetes”.

Rreth pritshmërive që ka dhe si e sheh situatën: “Përkushtimi ynë do të duhet të jetë edhe më i lartë. Ka shumë pritshmëri për debutimin tonë në kampionatin e ri, kemi bërë një punë të mirë që nga 13 korriku. Jam i kënaqur me punën dhe angazhimin e djemve.

Sezoni i kaluar ishte diçka e mrekullueshme, këtë sezon, që të qëndrojmë në majë, përkushtimi do të duhet të jetë edhe më i madh. Nuk do të jetë e lehtë sepse djemtë ishin të jashtëzakonshëm, por duhet të përpiqemi gjithmonë të përmirësohemi. Ne punojmë çdo ditë për këtë.

Dua të shoh përqendrimin e skuadrës. Ne jemi kampionët italianë, do ta nisim si të tillë, duam të rikonfirmohemi. Sezonet e fundit ata që mbrojtën titullin kishin vështirësi. Po flasim për këtë me djemtë, do të duhet të kemi një përqendrim të çmendur për të qëndruar gjithmonë të fokusuar në objektivat tanë. Jam i kënaqur me mënyrën se si janë stërvitur këto kohë, gjeta gatishmëri të madhe nga të gjithë. Ka shumë optimizëm për debutimin e së shtunës.

Grupi? Konfirmuam ekipin e sezonit të kaluar dhe patëm tri përforcime të rëndësishme. Tashmë kemi më shumë siguri. Kishim disa probleme të vogla, por Arnautovic dhe Taremi u stërvitën me ne, Zielinski është pothuajse gati. Në infermieri ka mbetur vetëm De Vrij, i cili do të ketë edhe disa ditë riaftësimi. Gjithsesi, të gjitha këto janë gjëra normale.

Tregu i transfertave? Do të jetë i hapur deri në fund të muajit, kemi mungesë në mbrojtje, duke pasur parasysh dëmtimin e Buchanan. Kam takuar pronarët e rinj, janë të mrekullueshëm, kanë ambicie si ne. Presidenti Marotta, Ausilio, Baccin, Zanetti dhe Ferri janë këtu çdo ditë për të biseduar dhe për të parë nëse nga tani deri në fund të merkatos do të jemi në gjendje të bëjmë diçka.

Të rinjtë e ardhur kësaj vere? Zielinski është një lojtar me teknikë të shkëlqyer, ne e donim. Do të na japë një dorë të madhe, nëse jo për të shtunën, herën tjetër. Po e shohim, ai tashmë është kthyer në fushë. Taremi ka përvojë ndërkombëtare, shënon shumë gola. Është përshtatur shumë mirë. Martinez është një portier i shkëlqyer, që ka dëshirë të madhe për të mësuar. Ai ka një portier të madh afër si Sommer, do të na japë kënaqësi të madhe”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit