Ish-gruaja e Maradonës fiton “Masterchef Argjentina”, ja dedikimi prekës i saj

19 Janar 2021
15:27
Alfred Lleshi
back button

Claudia Villafane fitoi “Celebrity Argentina Masterchef”; një nga programet më të shikuara televizive në vend. Ish-gruaja e Diego Armando Maradonës shoqërohej nga dy vajzat e saj, Dalma dhe Giannina. Për episodin e fundit, pjesëmarrësit e “reality show”-t u desh të përgatisnin një menu me tri pjata. Ajo e propozuar nga Claudia ishte: meze me domate, qershi dhe luleshtrydhe. Si pjatë kryesore përgatiti një fileto mish derri, të mbështjellë me lepur dhe proshutë, për të përfunduar me ëmbëlsirën; një çokollatë e bardhë kremoze me akullore, banane dhe qershi.

Ish-gruaja e kampionit argjentinas ua dedikoi fitoren njerëzve më të dashur për të: “Për njerëzit që do të doja t’i kisha këtu, por nuk mundem. Duke filluar me nipin tim, i cili shkoi për të vizituar babanë e tij, Sergio; nënën time, babain e vajzave të mia, i cili nuk është më mes nesh, dhe miqtë e familjes sime, që nuk janë mirë me shëndet”.

Ngjarja u festua në rrjetet sociale nga dy vajzat e Claudia Villafane dhe Maradanës: “Gjithmonë me ju! Përgjithmonë, të katër së bashku! Faleminderit Babu! Faleminderit Tata!” Ky ishte postimi i shkruar në Twitter nga Dalma. Babu ishte nofka, që vajza e madhe e Diegos dhe Claudia i kishin vendosur babait të saj, i cili vdiq 25 nëntorin e kaluar.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit