Ish-ndihmësi i Pep paralajmëron Manchester City: Po i ndodhi kjo, do të largohet

4 Qershor 2020
15:09
Alfred Lleshi
back button

Manchester City është paralajmëruar që, kur Pep Guardiola të konsiderojë kalimin diku tjetër, të jetë i përgatitiur. E thotë këtë Domenec Torrent, i cili ngulmon se mbështetja e plotë e lojtarëve është thelbësore për trajnerin katalanas. Ish-trajneri i Barcelonës dhe Bayern Munich nuk ka lënë të kuptohet se ku mund të shkojë, teksa po i afrohet fundit të sezonit të tij të katërt në “Etihad”. Kontrata aktuale do ta mbajë atë në Angli për të paktën edhe një vit, por ka pikëpyetje për të ardhmen e tij.

Manchester City është pezulluar për dy sezone nga garat europiane. Megjithëse e ka apeluar këtë vendim të UEFA-s, nuk ka shumë siguri se do të zhbëhet. Sidoqoftë, Guardiola ka lënë të kuptohet se nuk do të ndikohet nga mbetja jashtë Europe. Torrent thotë se 49-vjeçari mund ta kthejë kokën për diku tjetër vetëm nëse kupton se grupi që ka në dispozicion nuk është më plotësisht i përkushtuar ndaj vizionit të tij.

Ish-ndihmësi i Guardiolës, i cili tani drejton New York City FC, i tha “Athletic”: “Ka lojtarë që ndoshta pas tri vitesh të suksesshme thonë mjaft. Ata duan të pushojnë, të fitojnë para në një klub tjetër me më pak kërkesa. Unë mendoj se lojtarët më të mirë, kampionët e vërtetë, kurrë nuk lodhen së fituari dhe mësuari. Për mua, mënyra më e mirë për t’i shmangur këto probleme është që të ndryshoni dy ose tre lojtarë çdo vit. Kjo është mënyra më e lehtë për një trajner. Nëse shihni që lojtari nuk është i lumtur, atëherë duhet ta largoni, pavarësisht se cili është. Si trajner duhet ta vësh re kur lojtari lodhet nga mesazhi yt”.

Torrent u mundua të parashikojë të ardhmen e Guardiolës në stolin e “qytetarëve”: “Unë mendoj se Pep është shumë inteligjent dhe kur sheh që mesazhi i tij nuk merret përsipër, atëherë me siguri do të jetë koha për të kërkuar gjëra të tjera”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit