Ish-ylli i City-t: Balotelli paguante 100 mijë sterlina në javë për gjoba

19 Nëntor 2019
16:36
Denis Hakanaj
back button

Sistemi i gjobave i vendosur te Chelsea nga Frank Lampard ka shkaktuar shumë diskutime. Shifra të larta për shkelje që mund të konsiderohen “të lehta”, si një vonesë. Ideja e trajnerit të Bluve është që të disiplinojë lojtarët e tij, disa prej të cilëve janë shumë të rinj.

Megjithatë, nëse Frankie do të kishte pyetur ish-shokun e tij të kombëtares, Richards, ndoshta këto rregulla mund të ishin shmangur. Gjobat nuk shërbejnë për shumë, veçanërisht në raste të caktuara.

Ish-mbrojtësi i City-t dhe Fiorentina-s ka zbuluar se çfarë bënte City me paratë e marra nga  gjobat dhe se disa, pavarësisht gjithçkaje, vazhdonin të bënin si të donin.

Njëri nga ata ishte Super Mario Balotelli. “Dukej se të gjithë kishin sinkronizuar orët, por Balotelli ishte gjithmonë me vonesë. Paratë e gjobave i jepnim për bamirësi dhe për Krishtlindje kishim gjithmonë 100 mijë ose 150 mijë sterlina, një shumë e grumbulluar nga vonesat e Balotelli-t”.  

“Ndoshta ishte në ndërtesë, por nëse ne kishim një takim në katin sipër, ai ishte poshtë për relaks. Dhe vinte gjithmonë në mbledhje gjysmë përgjumësh”. Kështu, gjobat kanë qenë të njëpasnjëshme.

Balo mund t’i kishte kundërshtuar po të donte, por kjo nuk ishte një ide e mirë. “Do të thoshte të shkoje në zyrën e trajnerit me Kompany-në. Dhe ai merrte me vete një grafik me të gjitha gjobat. Vincent është si një mësues, madje një drejtor. Një prej atyre që i qëndron sa më larg të jetë e mundur”.

Megjithatë, belgu nuk mund të ishte gjithmonë i pranishëm dhe të kontrollonte gjithçka. Për këtë arsye, ka shpjeguar Richards, ka kërkuar ndihmë, por ndoshta ia ka kërkuar njeriut të gabuar.   

“Kompany kishte shumë punë, e mbante ai llogarinë e gjobave, por duke parë se ishte zëvendës-kapiten dhe një nga liderët e ekipit, më ka kërkuar ndihmë mua. Por unë nuk shkoja t’i thoja trajnerit se kush vinte me vonesë apo bënte shkelje të tjera. Kështu, probleme kishte vetëm nëse të kapte Kompany. Unë nuk jam një spiun”.

As kjo zemërgjerësi e Richards nuk ka arritur të shpëtojë Mario-n: “Unë kërkoja të isha shok me të gjithë. Dhe shpesh i kam thënë Balotelli-t ‘mirë, rri i qetë, për sot jemi mirë’. Problemi ishte se ai vinte me vonesë të paktën një herë në javë dhe unë nuk mund ta ndihmoja”.  

Lajme të tjera

Lajmet e fundit