Italia ka bërë padyshim një hap të madh përpara, me ligjin e fundit në mbrojtje të arbitrave të futbollit. Dhuna ndaj arbitrave të futbollit në Itali futet në kodin penal, duke u barazuar me dhunën ndaj një zyrtari publik.
Goditja e një arbitri në fushë, tani është e barabartë me plagosjen ose dhunimin e një polici ose dhunimin e një zyrtari publik dhe dënohet nga dy deri në 5 vite burg, madje mund të dënohet edhe më shumë deri në 10 ose 15 vite, nëse arbitri i dhunuar ka pësuar lëndime të rënda.
Ky ligj historik në mbrojtje të arbitrave është kërkuar prej kohësh nga Shoqata Italiane e Arbitrave, kreu i saj, Antonio Zappi, nuk e fsheh gëzimin e madh pas miratimit të këtij ligji nga Këshilli i Ministrave.
“Jam shumë i gëzuar dhe ndjej një emocion të madh për miratimin e këtij ligji historik. Mbrojtja e gjyqtarëve më në fund futet në kodin penal dhe është rezultat i muajve të tërë pune dhe përfshirjes së shumë “aktorëve”. Falënderoj Qeverinë për miratimin e këtij ligji si dhe të gjithë ata që e kanë mbështetur këtë ligj dhe kanë ndihmuar në bërjen realitet të nismës sonë”, tha Zappi.







