Zvicra është çerekfinalistja e parë e “Euro 2024”. Italia kthehet në shtëpi, pa lënë asnjë gjurmë pozitive në sfidën e sotme me helvetët, ku u mund 2-0. Në fakt, edhe në tri ndeshjet e grupit, kombëtarja axurre ishte shumë larg petkut të kampiones së Europës në fuqi.
Një kombëtare pa ide, pa qartësi në organizim, e lodhur fizikisht dhe mendërisht u shfaq në Berlin, në stadiumin ku më 2006, shpallej kampione e Botës. Megjithatë, nga ajo Itali te kjo e sotmja, e eliminuar nga Europiani, ka diferenca shumë të mëdha.
Krejt ndryshe, Zvicra e nisi mjaft kërkuese ndeshjen e 1/8 finale, me besim në vetvete, pasi e kishte studiuar më së miri kundërshtarin. Përmes presingut lart, Granit Xhaka dhe të tijtë e detyruan Italinë të tërhiqej në mbrojtje, të bënte gabime në pasime dhe nisjen e aksioneve.
Afër fundit të pjesës së parë, Freuler shpërbleu lojën e madhe dhe dominimin e të tijve me golin e avantazhit. Me fillimin e pjesës së dytë, Vargas dyfishoi shifrat me një gol të mrekullueshëm. Tjetër goditje psikologjike për axurrët, kur duhej të ndërronin “marsh” dhe të tentonin përmbysjen.
Gjë që nuk ndodhi, sepse bënë shumë pak. Mjafton të evidentojmë faktin se goditja e parë e Italisë në portën e Sommer nga italianët erdhi pas minutës së 70-të të ndeshjes. Kjo tregon qartë mefshtësinë e lojtarëve të Spallettit, që sikur shëtisnin fanellat në fushë.
Pavarësisht zëvendësimeve dhe shtimit të forcave sulmuese në fushë, Italia nuk ia doli ta prekte rrjetën e Sommer. Eliminim me zhgënjim total i kampionëve në fuqi të Europës, përballë një kundërshtari që funksionoi si “orë zvicerane”.
Helvetët e drejtuar nga Murat Yakin presin tashmë të qetë rivalin e tyre në çerekfinale të “Euro 2024”, që do të dalë nga dueli Angli-Sllovaki. Ata bëhen makthi i Italisë, të cilën sot e eliminuan nga “Euro 2024”, ndërsa para dy vitesh e lanë jashtë Kupës së Botës në Katar.
ZVICER-ITALI 2-0
Zvicra (3-4-2-1): Sommer; Schar, Akanji, Rodriguez; Aebischer (46′ Steffen), Freuler, Xhaka, Ndoye (78′ Sierro); Rieder (73′ Stergiou), Vargas (73′ Zuber); Embolo (78′ Duah).
Italia (4-3-3): Donnarumma; Di Lorenzo, Mancini, Bastoni, Darmian (85′ Cambiaso); Cristante (75′ Pellegrini), Fagioli (86′ Frattesi), Barella (64′ Retegui); Chiesa, Scamacca, El Shaarawy (46′ Zaccagni).
Golat: 37′ Freuler, 46′ Vargas
Arbitër: Marciniak (Poloni)
Kartonë të verdhë: Barella, El Shaarawy, Mancini )