Italia kundër Shqipërisë si Goliathi ndaj Davidit. Ja prognoza e supersfidës së Dortmundit

15 Qershor 2024
18:16
Alfred Lleshi
back button

“Theanalyst” merr në analizë ndeshjen e “Euro 2024” në Grupin B, e cila zhvillohet sonte (21:00) në Dortmund, Itali-Shqipëri.

Statistikat e Italisë kundër Shqipërisë

Italia është favorit i madh për ta nisur “Euro 2024” me një fitore, duke mposhtur Shqipërinë, me 66.3% të 10.000 simulimeve para ndeshjes të superkompjuterit Opta. Axurrët kërkojnë të bëhen vetëm skuadra e dytë që ka mbrojtur me sukses titullin e Kampionatin Europian, pas Spanjës.

Trajneri i Shqipërisë Sylvinho do të bëhet braziliani i parë që do të menaxhojë një kombëtare në një Kampionat Europian që nga Luiz Felipe Scolari me Portugalinë në vitin 2008. Kampionia e kontinentit në fuqi, Italia, e nis mbrojtjen e titullit në Dortmund, kundër Shqipërisë, në atë që do të jetë përballja e parë ndonjëherë në një kompeticion të madh.

Luciano Spalletti do ta udhëheqë Italinë në të 11-tin Europian të saj në histori. Pavarësisht faktit se vetëm Gjermania dhe Spanja (3 herë) e kanë fituar atë më shpesh se axurrët (2 herë, më 1968 dhe 2021), ata nuk janë ndër favoritët sipas superkompjuterit Opta. Italisë i jepet vetëm 5% mundësi për të mbrojtur “kurorën” e “Euro 2021”, me gjashtë skuadra të tjera që konsiderohen fituese më të mundshme.

Nëse ia del deri në fund, Italia do të bëhet vetëm skuadra e dytë që fiton Europianin e dytë radhazi pas Spanjës (2008 dhe 2012). Shqipëria është kundërshtari i saj i parë në Grupin B. Pavarësisht se skuadra e Sylvinhos ka talente sulmuese si Armando Broja dhe Rey Manaj, do t’i duhet punë për ta përballuar Italinë, e cila ka pësuar vetëm 6 gola në 12 ndeshjet e fundit në këtë kompeticion.

45 ndeshjet e Italisë në Kampionatin Europian kanë prodhuar mesatarisht 1.84 gola (52 pro, 31 kundër), produkti më i ulët nga secila prej 25 skuadrave që kanë marrë pjesë në 10+ ndeshje në këtë kompeticion.

Shqipëria po bën vetëm paraqitjen e saj të dytë në një Kampionat Europian (i pari në “Euro 2016”, kur u eliminua në fazën e grupeve, duke përfunduar e treta pas Francës dhe Zvicrës). Fitorja e vetme e kuqezinjve në finalet e këtij kompeticioni erdhi kundër Rumanisë, më 2016, me rezultatin 1-0, falë një goli të Armando Sadikut.

Ish-mbrojtësi i majtë i Arsenalit dhe Barcelonës, Sylvinho, drejton Shqipërinë në turneun e Gjermanisë. Pasi humbi ndeshjen e parë kualifikuese për “Euro 2024” kundër Polonisë, Shqipëria mbeti e pamposhtur në 7 sfidat e radhës (4 fitore dhe 3 barazime). Për herë të parë në historinë e saj, përfundoi në krye të grupit kualifikues të një turneu të madh ndërkombëtar, përpara Republikës Çeke dhe Polonisë. Kuqezinjtë pësuan vetëm 4 gola në kualifikuese, të gjithë jashtë shtëpisë.

Pasja e një ish-mbrojtësi ndërkombëtar në krye ndoshta e ka ndihmuar në këtë aspekt. Sylvinho do të jetë braziliani i parë që menaxhon një skuadër në një Kampionat Europian që nga Luiz Felipe Scolari me Portugalinë më 2008.

Me Spanjën dhe Kroacinë, që gjithashtu konkurrojnë në Grupin B, ndoshta më të fortin e “Euro 2024”, starti me fitore do të jetë jetik për Italinë, nëse do të përfundojë në vendin e parë. Megjithatë, forma kualifikuese e Shqipërisë sugjeron se nuk do të jetë diçka e lehtë.

Itali-Shqipëri, ballë për ballë
Ky do të jetë takimi i parë i Italisë dhe Shqipërisë në një turne madhor. Italia i ka fituar të katër përballjet e mëparshme me Shqipërinë (7 gola pro, 1 kundër), të cilat janë zhvilluar të gjitha nga viti 2014 e këtej.

Fitorja 1-0 në miqësoren e Genoa më 2014 u pasua nga fitoret 2-0 dhe 1-0 në kualifikimet për Kupën e Botës 2018. Ndeshja e tyre e fundit i pa axurrët të fitonin 3-1 miqësoren në Tiranë, në nëntor 2022, falë golave ​​të Giovanni Di Lorenzo dhe Vincenzo Grifo (2).

Lajme të tjera

Lajmet e fundit