“Janë një shkallë më lart”, Fabregas zgjedh fituesin e City-Arsenal: Ja si del ndeshja

29 Mars 2024
15:06
Denis Hakanaj
back button

Legjenda e Arsenalit, Cesc Fabregas ka parashikuar se ish-skuadra e tij do të mposhtë Manchester City-n në Etihad në përballjen e tyre vendimtare në Premier League këtë të diel.

Citizens janë të tretët në renditjen e kampionatit, vetëm një pikë prapa Topçinjve dhe Liverpool, me këta të fundit në vendin e dytë në diferencë golash.

Me 10 ndeshje të mbetura, përballja e së dielës në Etihad mund të jetë vendimtare për titullin.

Fabregas bëri një analizë dhe një parashikim për ndeshjen në podcastin e Planet Premier League dhe filloi duke folur për mënyrën sesi Pep Guardiola i përgatit ndeshjet e mëdha.

Ai tha: “Unë mendoj se Pep Guardiola gjithmonë i qaset ndeshjeve me të njëjtin perceptim, të njëjtin kontekst. Për të fituar ndeshjen, ai do të vendosë një ekip sulmues, cilido qoftë ai.

“Ai ka dëshmuar gjithashtu se po u jep mundësi lojtarëve më të rinj dhe nuk ka frikë ta bëjë këtë. Ai e ka bërë atë kudo që ka qenë. Nuk mendoj se kjo do të jetë një problem për të, por do të jetë më shumë për sa i përket cilësisë dhe ritmit në mbrojtje”.

Fabregas foli më pas për rritjen e Arsenalit këtë sezon për shkak të lojtarëve të rinj që ata nënshkruan verën e kaluar.

“Mendoj se Arsenali është rritur kaq shumë vitin e fundit me këto dy ose tre shtesa të reja… ata duken më solidë, duken më të pjekur, aftësia e tyre për të kundërsulmuar, për të mbajtur topin, për të mbrojtur lart, për të mbrojtur thellë. Ata janë një ekip shumë, shumë i kompletuar”.

Fabregas gjithashtu theksoi se Topçinjtë tashmë e kanë mposhtur Manchester Cityn dy herë këtë sezon. Ata fituan me penallti në finalen e Superkupës së Anglisë dhe 1-0 në Premier League në Emirates.

Fabregas tha: “Ata e dinë se çfarë duhet për të mposhtur Manchester Cityn, sepse e kanë bërë tashmë, kështu që do të jetë një ndeshje vërtetë interesante dhe, padyshim, do të jetë një sfidë e madhe për Arsenalin, veçanërisht për të parë se ku janë në këtë pikë.

“Por unë mendoj se ata do t’i befasojnë njerëzit sepse janë një hap më i lart nga sa mendojnë të gjithë”.

Kur u pyet për parashikimin e tij përfundimtar, ish-mesfushori i Barcelonës tha:

“Unë mendoj realisht, dhe po them vetëm në bazë të asaj që shoh dhe ndjej dhe perceptimit që kam nga të dyja skuadrat. Mendoj se do të fitojë Arsenal-i 2-1”.

Topçinjtë nuk kanë fituar kurrë në Etihad që kur Pep Guardiola u emërua trajner i Manchester Cityt në vitin 2016.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit