Ardon Jashari, mesfushori i ri i Milanit, foli për “Sky Sport” pas debutimit zhgënjyes në Serie A, kundër Cremonese: “Është gjithmonë e rëndësishme ta nisësh mirë, sidomos në një klub të madh si Milani. Ndoshta është më mirë që humbja erdhi që në javën e parë, kështu e kuptojmë sa e vështirë do të jetë. Për disa lojtarë nuk është hera e parë, por për të gjithë ishte një lloj zgjimi”.
Çfarë ndjesie është të luash me Modric?
Është një lojtar i jashtëzakonshëm, brenda dhe jashtë fushës. Nuk ndodh shpesh të kesh në ekip futbollistë të tillë. Ne e shijojmë praninë e tij dhe mund të mësojmë shumë prej një kampioni si ai.
A flisni mes jush për objektivin “Champions”?
Në vetvete për zonën “Champions” nuk flasim, por të gjithë e dimë cili është objektivi ynë. Ky klub meriton të jetë në krye të renditjes. Duhet të punojmë fort dhe të fitojmë sa më shumë ndeshje. Kështu do të arrijmë edhe në Champions League.
Çfarë lojtari je?
Jam një lojtar që do gjithmonë të fitojë e të përmirësohet, si individualisht, ashtu edhe si grup. Dua që shokët e skuadrës të kenë besim tek unë në çdo situatë, si me topin, ashtu edhe taktikisht. Ky jam unë si lojtar.
Cili është roli yt i preferuar?
Mund të luaj si numër 6 ose 8, varet nga ajo që kërkon trajneri. Pastaj, unë mundohem t’i përshtatem idesë së trajnerit me stilin e lojës. Besoj se mund ta ndihmoj skuadrën në të dyja fazat, qoftë duke mbështetur sulmin, qoftë si “6”, para mbrojtjes. Për mua nuk ka rëndësi roli, ka rëndësi çfarë do trajneri.







