Mbreti i tregut, Real Madridi, tashmë ka bërë bujë të madhe në merkato. Ardhja e Kylian Mbappé si lojtar i lirë, së bashku me Endrick, e vendos kampionin aktual europian në “pole position” për ta mbrojtur kurorën pas 11 muajve në Mynih. Në këtë pikë, pak mund të debatojnë mbi strategjinë e tregut të klubit të kryesuar nga Florentino Pérez.
Përtej marrjes falas të yllit të PSG-së, një klub shumë i fuqishëm nga pikëpamja ekonomike, që për shumë është futbollisti më i mirë në botë, e vërteta është se faza e dytë e presidentit Perez në krye të klubit nga “Bernabeu” bie në sy për një përqindje suksesesh shumë mbi mesataren e atyre që, në thelb, janë “baste” pa garanci të pathyeshme suksesi.
Që nga shitja e Cristiano Ronaldos në vitin 2018, Real Madridi ka lëvizur me mençuri për të rindërtuar një skuadër që ka fituar dy Liga të Kampionëve dhe ka qenë gjithmonë afër finales së saj.
Sezonin e kaluar mbërriti Jude Bellingham, nënshkrimi i verës 2023, edhe pse jo lojtari më i shtrenjtë (Declan Rice i kushtoi Arsenalit 116 milionë euro), më 2022 erdhi Tchouaméni, një tjetër “hit” i Real Madridit, si dhe Rüdiger, si lojtar i lirë.
Më 2021 u ble Camavinga, një tjetër lojtar shumë i kërkuar, dhe Alaba, pas përfundimit të kontratës me Bayernin. Në fakt, Real Madridi ka bërë vetëm një herë nënshkrimin më të shtrenjtë në treg që nga fillimi i kësaj dekade të mrekullueshme.
Ishte Bale, në vitin 2013, i cili u ble për 101 milionë euro. As Hazard (120 milionë euro) nuk ishte në krye të fushatës së transferimeve (2019- 2020), i tejkaluar nga Joao Félix (127 milionë euro).
Megjithatë, është ekuilibri mes blerjeve dhe shitjeve, pika ku Real Madridi bën vërtet diferencën me konkurrentët e tij të mëdhenj çdo sezon, në luftën për Champions League.
Fakt është se, që nga 2013-2014 i sipërpërmendur, sezoni i parë i Ancelottit në krye të skuadrës së bardhë, që përfundoi me fitimin e “Copa del Rey” dhe Champions League, klubi i bardhë është vetëm i dhjeti që shpenzon më shumë në merkato, gjithsej 1 miliard e 240 milionë euro.

Kjo shumë është sa gjysma e shpenzimeve të Chelsea në merkato (2.480 miliardë) dhe më pak se Manchester City, Manchester United, PSG, Juventus, Barcelona, Asenal, Liverpool e Tottenham. Çelësi është në shitjet e bëra nga “Los Blancos”, me Cristiano Ronaldon (Juve pagoi për të 117 milionë euro më 2018) si transferimi më i shtrenjtë. Për sa iu përket të ardhurave, Real Madridi është gjithashtu i dhjeti, me 974 milionë euro, në një listë që dominohet gjithashtu nga Chelsea (1.4 miliardë).
Pikërisht në bilancin përfundimtar, diferenca mes blerjeve dhe shitjeve, Real Madridi spikat nga rivalët e tij. Edhe pse bilanci i tij është negativ (260 milionë mospërputhje mes shpenzimeve dhe të ardhurave), klubi nga “Bernabeu” është i njëzeti në renditjen e klubeve kryesore europiane.
Një listë e kryesuar nga Manchester United me bilanc negativ prej më shumë se 1.3 miliardë. Përpara Real Madridit, përveç të gjithë të mëdhenjve të Kontinentit të Vjetër, janë disa klube dytësore të Premier League si Newcastle, West Ham United, Aston Villa, Crystal Palace, Bournemouth, Fulham, Wolverhampton dhe Everton.
Real Madridi jeton larg asaj “flluske financiare”, duke vendosur kufijtë e vet si në investimet për transferime, ashtu edhe në shkallën e famshme të pagave që rregullon hierarkitë ekonomike të skuadrës.
Disiplina e hekurt financiare e entitetit madrilen e ka lejuar Real Madridin që përveç fitimit të dy Ligave të Kampionëve, pas tejkalimit të efekteve të pandemisë, të rindërtojë stadiumin “Bernabeu”, për ta kthyer në një burim shtesë të të ardhurave për dekadat e ardhshme.
Dhe, për më tepër, duke pasur luksin e nënshkrimit të Mbappe ‘falas’, transferimi i dytë më i shtrenjtë në historinë e futbollit (PSG pagoi 180 milionë për të më 2018), klubi i Florentino Perez dominon pavarësisht konkurrencës së ashpër në treg.







