Situata është, si të thuash, fluide. Aq fluide sa mund të ndodhë gjithçka, madje edhe asgjë. Ky është thelbi. Juventusi dhe Napoli janë në kërkim të një sulmuesi në merkaton e janarit. Joshua Zirkzee, në krizë të vazhdueshme që nga momenti kur shkeli në Manchester, do të ishte i lumtur të ndryshonte ambient. Nga ana tjetër, Manchester United ka investuar shumë për ish-lojtarin e Bologna dhe nuk dëshiron ta humbasë investimin. Pra, ka mundësi që klubi anglez të pranojë ta largojë në formë huazimi, për ta mbrojtur asetin e vet dhe rilançuar në pritje të një shitjeje të përshtatshme në qershor.
Kjo, natyrisht, e ngre Zirkzee në krye të listës së objektivave të merkatos së klubeve italiane, me Motta dhe Conte që kryesojnë garën për ta sjellë te skuadrat e tyre. E thënë ndryshe, një duel mes dy gjigantëve: nga njëra anë Juventusi dhe ish-trajneri i tij Antonio Conte; nga ana tjetër Napoli, i cili mund të përdorë Osimhen për të siguruar fondet e nevojshme të investimit. Siç u tha, situata është fluide.
Diçka pritet të ndodhë në janar, pasi Zirkzee, pas një fillimi sezoni katastrofik nën drejtimin e Ten Hag, nuk arriti të përmirësohej as me Amorim, i cili e aktivizoi për një periudhë të shkurtër, por më pas e la në stol pas një paraqitjeje zhgënjyese (ndaj Bournemouth). Kjo i ka dhënë zë protestës së tifozëve të “Djajve të Kuq “, të cilët e kanë quajtur tashmë si “blerjen më të keqe ndonjëherë”. Në këtë kontekst, është logjike që ish-lojtari i Bologna mund ta konsiderojë një rikthim në Itali, ndoshta te trajneri që e bëri të shkëlqejë.
Nëse zgjedhja do të varej vetëm prej tij, Zirkzee do të preferonte Juventusin. Sidoqoftë, bardhezinjtë nuk kanë aktualisht fonde të mjaftueshme për investim, pasi prioritet kanë plotësimin e boshllëkut në qendër të mbrojtjes. Napoli, nga ana tjetër, po shpreson që shitja e Osimhen të sigurojë fondet e nevojshme dhe mund të vendosë të përqendrohet plotësisht te Zirkzee, duke e mbyllur këtë çështje.
Megjithatë, operacioni mbetet i komplikuar. Manchester United nuk mund të përballojë humbje të mëdha financiare, ndaj duhet të përpiqet të maksimizojë përfitimin. Vlera e Zirkzee, megjithatë, nuk është më ajo e verës së kaluar (42 milionë euro, sipas raporteve). Mes humbjeve në bilanc dhe largimit të tij në huazim, mund të jetë më mirë opsioni i dytë. Pra, Juventusi po përballet me Napolin në këtë garë, edhe për këtë arsye. Motta shpreson ende ta rikthejë “sulmuesin e tij” duke ia rrëmbyer Antonio Contes. Beteja e tregut sapo ka filluar dhe duket se mund të zgjasë deri në “kohën shtesë”. Një gjë është e sigurt: janari do të jetë shumë i nxehtë.