Juve-Allegri apo Nedved-Agnelli: Nëse ai qëndron, unë do të largohem!

18 Maj 2019
10:00
Alfred Lleshi
back button

Dje, të premten, ishte fund i një epoke te Juventusi. Massimiliano Allegri do ta lërë drejtimin e bardhezinjve, me të cilët e fitoi pesë herë titullin e kampionit në Serie A, në po kaq vite. Mbetet të luhen edhe dy ndeshjet e fundit të këtij kampionati, pastaj marrëdhënia midis “Zonjës së Vjetër” dhe trajnerit livornez do të jetë vetëm një kujtim.

24 orë pas shpalljes së “divorcit”, fillon të krijohet një tablo më e qartë rreth asaj që ndodhi në “kullën” e drejtimit të Juventusit. Hipoteza e përfolur ditët e fundit, tani është diçka e sigurt. “Shpirtrat” e drejtuesve të Juventusit ishin të ndarë. Presidenti Agnelli donte të vazhdonte përsëri me Allegrin, ndërsa dyshja Nedved-Paratici kërkonin një ndryshim të trajnerit. 

Sipas asaj që raportohet nga “Corriere della Sera”, rezulton se opozita e bërë posaçërisht nga Pavel Nedved nuk ishte fare e lehtë. Në të vërtetë, çeku do ta kërcënonte praktikisht Andrea Agnelli, të hënën e kaluar: "Nëse Allegri qëndron, unë do të largohem". Ndarja mes të dyve (nuk kanë përjetuar një marrëdhënie idilike) u shfaq edhe më qartë pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, kundër Ajax-it. Allegri kishte konceptin e një revolucioni të thellë te Juventusi, veçanërisht duke miratuar lamtumirën e lojtarëve si Dybala, Cancelo dhe Douglas Kosta.

Ndër idetë e Allegrit, të ekspozuara te presidenti Agnelli në mbledhjet e përsëritura të këtyre ditëve, ishte afrimi i lojtarëve të rinj, por të sprovuar tashmë. Për shembull, trajneri nga Livorno kishte kërkuar De Ligt, plus katër blerje të tjera (duke mos llogaritur Ramsey). Nedved, nga ana e tij, është i bindur dhe e ka përsëritur shpesh atë përpara kamerave, se skuadra e Juventusit është e vështirë të përmirësohet, se i ka pothuajse të gjithë përbërësit e nevojshëm për të marrë maksimumin.

Siç dëshmohet nga “Corriere dello Sport”, edhe Paratici, megjithëse me tone më pak të ulura, kishte të njëjtën ide si Nedved. Në ditët pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, Allegri e kishte kuptuar se gjendej në anën e kundërt me Paratici dhe Nedved. Të dy, muajin pas eliminimit nga Liga e Kampioneve nuk kishin punuar për të përforcuar ekipin sipas dëshirave të tij, por kishin menduar se si ta zëvendësonin atë.

Në të njëjtën ndeshje, kundër Ajax-it, një gjest i Ronaldos i bindi plotësisht Paratici dhe Nedved se trajneri duhej ndryshuar. Portugezi, teksa ishte duke e lënë fushën e blertë, kishte bërë një gjest të fortë, që kryqëzonte Allegrin: "Ne e bëmë në brekë…" Pra, nuk guxuam, nuk treguam lojën që nevojitet për ta fituar Champions-in, i cili është kthyer në "fiksim" për kampin bardhezi. 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit