Juventus ëndërron me Kean, Champions tani është shumë afër (Pamjet)

1 Prill 2023
22:37
Denis Hakanaj
back button

Juventus nuk ka ndërmend të ndalet në kampionat. Bardhezinjtë e Massimiliano Allegri-t kanë marrë fitoren e tretë radhazi në Serinë A pas suksesit 1-0 të marrë mbrëmjen e sotme kundër Verona-s.

Një fitore e rëndësishme për torinezët, të cilët tani e shikojnë zonën europiane të renditjes shumë afër. Në fakt, Zonja e Vjetër është vetëm katër pikë larg vendit të katërt.

Pas penalizimit prej 15 pikësh dukej se Juventus kishte dalë përfundimisht nga gara për një vend mes katër të parëve, por reagimi i lojtarëve të Allegri-t ka qenë shumë i mirë dhe tani ëndrra vazhdon.

JUVENTUS-VERONA 1-0 – KEAN – VIDEO

Në pritje të mbylljes së çështjeve jashtë fushës, që mund të sjellin penalizime të tjera për bardhezinjtë, sipas mediave italiane, torinezët janë plotësisht në garë për Champions-in.

Ndeshja e luajtur në Allianz Stadium nuk ka dhuruar shumë raste dhe emocione. Pas një pjese të parë të mbyllur në barazim pa gola, episodi që ka vendosur takimin ka ardhur në momentin e 56-të.

Moise Kean ka qenë heroi i sfidës duke realizuar golin e ndeshjes pas një aksioni shumë të bukur të skuadrës. Ky ka qenë goli i gjashtë i sulmuesit italian në këtë sezon të Serisë A.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit