Sot nis zyrtarisht sezoni i ri 2024-2025 për Juventus, që këtë vit do të drejtohet nga trajneri Thiago Motta. Gjithsesi, skuadra e re ka ende disa pikëpyetje e një prej tyre është e ardhmja e sulmuesit Federico Chiesa, që ka ende edhe një vit kontratë me bardhezinjtë (skadon më 30 qerhsor 2025).
Gjithçka është shumë e mjegullt rreth sulmuesit, Për të cilin Juventus investoi 60 milionë euro 4 vjet më parë për ta rrëmbyer nga Fiorentina. Tani anësori bardhezi është në një udhëkryq, pasi duhet të zgjedhë nëse do të qëndrojë, duke ulur rrogën, me rrezikun që të përfundojnë në stol apo të kërkojë fatin diku tjetër.
Roma është tërhequr nga blerja e Chiesa, e lodhur nga hezitimet e tij. Chiesa nuk ka dhënë asnjë përgjigje deri më tani, as për Juventusin dhe as për klubet e tjera, pasi kërkoi kohë deri pas dasmës për të reflektuar. Por, deri më tani, asnjë ofertë për nuk ka mbërritur në shtëpinë e Juventus dhe Chiesa rrezikon të bëhet një ndalesë për merkaton.
Juventus e vlerëson atë nga 20 deri në 25 milionë euro, një shumë që do të shpenzohet më pas për të sjellë Teun Koopmeiners. Trajneri Thiago Motta preferon më shumë Mathias Soulé si titullar në treshen e tij sulmuese se sa Chiesa, të cilin e konsideron jo shumë funksional për lojën e tij.
Pra, për Chiesa ka ardhur koha të zgjedhë. Juventusi nuk mund të rrezikojë ta humbasë me koston zero, siç ndodhi me Paulo Dybala, ndaj do ta vërë nën presion: Ose do të rinovojë, por me shifra më të ulëta se ato aktuale (5 milionë euro plus bonuse, për të arritur deri në 6) ose do të jetë në shitje. Chiesa gjithashtu mund të përfundojë në një shkëmbim me Manchester United, nga ku do të vinte Jadon Sancho.







