Juventus-Dortmund, distanca për Emre Can është ende e madhe

24 Janar 2020
9:54
Alfred Lleshi
back button

Aventurës së Emre Can te Juventusi mund t’i ketë ardhur vërtet fundi. Mesfushori gjerman, i cili deri më tani ka pasur një sezon të trazuar, ku ka luajtur vetëm 279 minuta në Serie A, ka tërhequr vëmendjen e disa klubeve gjatë merkatos së dimrit. Siç është raportuar nga “Corriere di Torino”, klubi në “pole position” për ish-lojtarin e Liverpool është Borussia Dortmund. Emre Can, në fakt, gjatë ditëve të kaluara është përfolur edhe te Manchester United dhe Everton, duke bërë që bardhezinjtë të kenë një pozitë të fortë në negociata.

Borussia Dortmund ka këmbëngulur më shumë, duke arritur një marrëveshje në parim me vetë lojtarin. Emre Can është i gatshëm ta zvogëlojë pagën e tij, në mënyrë që negociatat të mbyllen shpejt. Sidoqoftë, akordi i gjermanëve me Juventusin mungon ende. Klubi bardhezi, i cili e mori falas Emre Can në verën e vitit 2018, kërkon të sigurojë një fitim të madh kapitali, ndaj nuk është i gatshëm të bëjë asnjë zbritje. Borussia deri më tani ka vendosur 18 milionë euro në tryezë, ndërsa në Torino nuk heqin dorë nga 30 milionë euro. Pra, ekziston një distancë e konsiderueshme mes kërkesës dhe ofertës, por negociatat pritet të hyjnë në fazën më të nxehtë. 

Të enjten ka pasur kontakte të ngushta mes palëve. Juventusi është gati të pranojë edhe huazimin, në mënyrë që të ketë të drejta të plota mbi lojtarin në verë, kur mund të mbërrijë oferta e duhur e blerjes së gjermanit. Ditët e ardhshme do të tregojnë nëse do të etë “tymi të bardhë” për këtë çështje.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit