Juventusi dhe Atletico pas Lautaros, ish-zyrtari i Interit tregon si e bindi

22 Janar 2021
22:48
Eraldo Harlicaj
back button

Ish-vëzhguesi i talenteve të Interit, Adelio Moro, ka treguar për mënyrën se si Lautaro i është bashkuar ekipit zikaltër. Ai ka treguar se për të interesoheshin klube si Juventusi dhe Atletico Madridi, por ata u treguan më të shpejtë.

“Ishte janari i vitit 2017 dhe kampionati i Amerikës së Jugut për U-20 do të startonte. Ausilio mblodhi të gjithë vëzhguesit e talentëve dhe i kërkoi që të gjenin një futbollist. Juventusi kishte nënshkruar me Bentancur dhe Rogerion, Torino me Lyanco dhe Evertoni me Richarlison. Kur po shikonim Argjentinën, vumë re një sulmues trupmadh dhe me aftësi shumë të mira teknike.

“Ai ishte 19-vjeç dhe ishte në kontakte me Racing Club. E dinim gjithashtu që Juve e Atletico Madrid e dëshironin në ekip. Ia treguam menjëherë Ausilios, në mënyrë që ta transferonim sa më parë. Ausilio fluturoi menjëherë drejt Argjentinës pas përfundimit të turneut.

“Kërkoi që ta takonte personalisht Martinezin dhe të fliste me agjentin e tij. Piero mposhti konkurrencën e klubeve të tjera dhe siç e dimë Lautaro tashmë është pjesë e Interit”, përfundon Moro.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit