“Donim të fitonim, ia dolëm dhe nuk jam i shqetësuar për fazën tonë mbrojtëse”. Kështu e përmblodhi Thiago Motta fitoren e 1700-të të Juventusit në Serie A. Një arritje që, duke marrë parasysh kampionatet e 5 ligave më të mëdha europiane nga viti 1930, vetëm Real Madridi, Barcelona dhe Arsenali e kanë arritur.
Duke qëndruar në nivel europian, “Zonja e Vjetër”, falë fitores 2-1 kundër Monzës, e ka vazhduar serinë e saj pozitive këtë sezon. Aktualisht në kontinent, vetëm PSG është si Juventusi. Bardhezinjtë janë të pathyeshëm, pa asnjë humbje deri më tani në kampionat, ashtu si francezët e drejtuar nga Luis Enrique, të cilët në Ligue 1 janë të parët me 40 pikë pas 16 ndeshjesh, falë 12 fitoreve dhe 4 barazimeve (krahasuar me 7 fitoret dhe 10 barazimet e Juventusit).
Juve nuk di të humbasë – Në Paris është e qartë se nuk janë prekur nga “barazimet”, të cilat e kanë përfshirë skuadrën e Motta, por ndërprerja e serisë së barazimeve në “U-Power Stadium”, edhe pse me disa emocione në fund dhe njëfarë vuajtjeje, ishte frymëmarrje e nevojshme për një ekip që vinte nga 4 barazime radhazi.
Me 31 pikë, Thiago Motta dhe skuadra e tij pozicionohen në vendin e gjashtë të Serie A, gjithmonë 9 pikë larg Atalantës që po udhëton me një ritëm tjetër, por vetëm 3 pikë larg Lazios, e cila mban vendin e katërt. Sepse, në fund të fundit, objektivi i deklaruar është ky: “Të mbetemi mes katër të parëve, natyrisht”.
Këtë synim e rikonfimoi vetë Giuntoli: “Kemi filluar një epokë të re, me shumë lojtarë të rinj, një trajner të ri, kemi ndryshuar shumë. Është një mënyrë tjetër e të menduarit për futbollin, kështu që paradoksalisht jemi edhe të kënaqur me mënyrën si po ecim”.
Juventusi është i pathyeshëm në këtë Serie A dhe më gjerësisht në 25 ndeshjet e fundit të kampionatit (me 9 fitore dhe 16 barazime). Kjo është seria më e gjatë radhazi e ndeshjeve pa humbje në 5 kampionatet më të mëdha europiane.
Para Monzës, dukej sikur nuk dinte më të fitonte në kampionat. Në realitet, ky Juventus nuk di të humbasë. Një ngushëllim i vogël dhe njëkohësisht pikënisje bazë për të ndërtuar diçka, që tifozët ende po e presin.