Juventusi ka mbrojtje të pakalueshme dhe për rekord, Vlahovic shpërthen nga “prangat”

30 Shtator 2024
10:42
Alfred Lleshi
back button

I pakapërcyeshëm në mbrojtje dhe me një Vlahovic të rilindur në sulm. Ky është Juventusi që doli fitimtar nga “Marassi”, ndaj Genoa, duke i dhënë fund serisë së tri barazimeve radhazi pa gola. Me 3-0 kundër kuqebluve të Gilardino, për herë të parë në historinë e tyre, bardhezinjtë nuk pësuan gol në 6 ndeshjet e para të sezonit në Serie A.

Po ashtu, Juventusi është skuadra me ecurinë më të gjatë e pamposhtur (540 minuta) në fillim të sezonit të Serie A, që kur fitorja vlen 3 pikë (nga viti 1994-1995 në Serie A). Për të mos përmendur që bardhezinjtë nuk kanë pësuar gol që nga minuta e 53-të e Bologna-Juventus, më 20 maj.

Vetëm 5 skuadra kanë bërë më mirë, pra kanë kaluar më shumë minuta pa pësuar gol në fillimin e një sezoni: Cagliari 1966/67 (712 minuta), Milan 1993/94 (690 minuta), Bologna 1946/47 (663 minuta), Napoli 1970/71 (590 minuta) dhe Inter 1972/73 (563 minuta). “Zonja e Vjetër” është një “mur” prapa dhe me një Vllahovic ekstra përpara.

Pasi u zëvendësua në fund të pjesës së parë në ndeshjen kundër Napolit, sulmuesi serb gjeti sërish serinë e golave, duke shënuar dy herë. Golin e parë e realizoi nga penallti dhe të dytin me një goditje diagonale, me këmbën e majtë.

Dy gola që heshtin kritikët, siç nënvizoi vetë Dusan me festën polemike pas 2-0: “Flisni, flisni”. Goli i tretë u shënua nga Conceiçao, i cili hyri në pjesën e dytë në vend të Nico Gonzalez së pakapshëm në situatat ballë për ballë. Portugezi, menjëherë tregoi aftësitë e tij, duke konfirmuar rikuperimin e plotë. Fansat në rrjetet sociale e quajnë atë “Beep beep”.

“Unë jam duke u integruar shumë mirë në këtë ekip”, – tha portugezi, me rastin e golit të parë për Juventusin, i cili erdhi 8.252 ditë pas golit të fundit të shënuar në Serie A nga babai i tij, Sergio, më 24 shkurt 2002, me fanellën e Interit kundër Udinese.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit