“Juventusi nuk është i detyruar ta fitojë titullin këtë sezon, pres ndeshje argëtuese ndaj Milanit”

19 Nëntor 2024
10:03
Alfred Lleshi
back button

Gigi Buffon këmbëngul se Juventusi “nuk është i detyruar të fitojë” në sezonin e tij të parë nën drejtimin e trajnerit të ri Thiago Motta. Megjithatë, ai shpreson se ndeshja e fundjavës me Milanin do të jetë “po aq argëtuese sa Inter-Juve”.

Bardhezinjtë janë dy pikë larg liderit të Serie A, Napoli, një pikë prapa grupit tjetër të skuadrave duke përfshirë Interin, Atalantën, Fiorentinën dhe Lazion. Pra, gara e titullit është tërësisht e hapur në Itali.

“Ne po shohim një kampionat magjepsës, me surpriza, që e ka bërë këtë fillim sezoni edhe më të veçantë, – tha Buffon për “Sky Sport Italia” në prezantimin e “Kings League”. – Shpresojmë që ky lloj ekuilibri të zgjasë sa më gjatë që të jetë e mundur, sepse ky pasion po ushqen gjithashtu interesin për kampionatin”.

Ish-portieri i Juventusit dhe Parmës, tani shefi i delegacionit të kombëtares italiane, nuk mund të mos i hedhë sytë nga klubi i tij i vjetër. Është thënë se Napoli, nën drejtimin e Antonio Contes, dhe Juventusi me Thiago Motta në stol konsiderohen favoritë për ta ndaluar Interin të mbrojtë titullin, por ish-portieri i shquar e sheh ndryshe:

“Thiago Motta po ecën shumë mirë, duke pasur parasysh se janë fillimet e tij me bardhezinjtë. Të paktën për këtë sezon, Juventusi nuk është i detyruar të fitojë, kështu që po bën shumë mirë”.

Juventusi dhe Milani do të përballen në “San Siro” të shtunën, në kuadrin e javës së 13-të të Serie A, vetëm disa javë pas barazimit emocionues 4-4 midis “Zonjës së Vjetër” dhe Interit, po në atë stadium.

Ja prognoza e Buffon: “Pres të jetë një sfidë shumë e mirë mes dy skuadrave që luajnë futboll të hapur dhe sulmues. Shpresoj të jetë ndeshje po aq argëtuese dhe po aq e mirë, reklamë për Serie A, sa ishte Inter-Juventus”.

Buffon ishte në “San Siro” të dielën, kur Italia u mund 3-1 nga Franca në Ligën e Kombeve: “Ishte zhgënjyese, sepse duke marrë parasysh gjithçka që kemi bërë që nga shtatori, e merituam ta zinim vendin e parë në grup. Megjithatë, kjo është jeta, ju bini poshtë, ngriheni përsëri, tentoni përsëri dhe përsëri. Mendoj se dalim me më shumë besim nga kjo ndeshje, sepse të tre golat e Francës ishin nga goditjet standarte”.

Pse Juventusi pothuajse nuk e fiton kurrë Ligën e Kampionëve? Pyetja fatale arriti në veshin e atyre që patën disa mundësi për ta ngritur në qiell “kupën me veshë të mëdhenj” si Gigi Buffon, portieri i përjetshëm i Juventusit, që tani është në krye të delegacionit të kombëtares italiane:

“Barcelona më 2015 dhe Real Madridi më 2017, me të cilat u përballëm në finalen e Ligës së Kampionëve, ishin skuadrat më të forta të 20 viteve të fundit. Edhe më 2003 ishim përballë Milanit të Shevchenkos”.

Finalen ndaj kuqezinjve e humbi me penallti dhe pak muaj më vonë, Buffon, siç tregon në autobiografinë e tij, ra në depresion: “Ishte fundi i vitit 2003, kampionati kishte nisur mirë, pastaj filluam të humbnim entuziazmin. Kishim fituar dy kampionate radhazi, teksa zbrazëtia u hap para meje”.

Kjo u rëndua derisa u ndje i sëmurë edhe në fushë: “Një sulm paniku. Ndjeja presion në gjoks, nuk mund të merrja frymë. Mendova se nuk do të doja kurrë të isha atje dhe nuk do të mund ta luaja kurrë ndeshjen”.

Më tej tregoi se si doli nga ky tunel i errët: “I refuzova drogat. Kisha nevojë për to, por kisha frikë të bëhesha i varur prej tyre. Shkova te psikoterapisti vetëm tri ose katër herë, por ai më dha këshilla të vlefshme. Më tha të kultivoja të tjera interesa, jo të fokusohesha tërësisht te futbolli”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit