Pavarësisht se ka më shumë se një muaj që Marc Cucurella është zyrtarizuar te Real Madrid për shifrën 55 milionë euro, vetëm sot mbrojtësi spanjoll i ka dhënë lamtumirën ish-klubit të tij përmes një videoje shumë emocionale, e postuar në rrjetet e tij sociale.
“Pas katër sezoneve së bashku, është koha për të thënë lamtumirë. Kam pasur kohë të reflektoj dhe të kujtoj atë që kemi përjetuar së bashku. Erdha këtu si një djalë i ri me ëndrrën për të fituar shumë tituj dhe për të luajtur në Champions League. Patëm një fillim të vështirë, është e vërtetë, por me punë të palodhur dhe përpjekje, arritëm t’i kthenim gjërat. Falë këtij klubi dhe pritjeve të tij të larta, sot mund të them sinqerisht se Londra do të jetë gjithmonë shtëpia ime dhe ju do të jeni gjithmonë pjesë e historisë sime.
Nuk do ta harroj kurrë dëgjimin e këngës sime në stadium, netët magjike në “Stamford Bridge”, titujt që kam fituar duke mbajtur këtë stemë dhe gjithë dashurinë që më keni treguar. Po largohem nga klubi si burrë. Kam arritur shumë nga ëndrrat e mia falë të gjithëve juve dhe dua t’ju falënderoj për këtë. Trajnerët dhe stafin teknik për të gjitha këshillat që më keni dhënë, shokët e mi të ekipit për gjithçka që kemi përjetuar së bashku dhe që nuk do ta harroj, dhe të gjithë ata që punojnë në Cobham që më bënë të ndihem si në shtëpi që nga dita e parë.
Shpresoj vërtet ta shoh Chelsean përsëri në krye, aty ku i përket dhe meriton të jetë. Dikur Blu, gjithmonë Blu”, mbyll fjalimin e tij Cucurella.
Thank you 💙 pic.twitter.com/eCTQhCdPJm
— Marc Cucurella (@cucurella3) July 27, 2026







