Ish-mesfushori i Interit, Fredy Guarin, zbuloi se si kishte rënë në alkoolizëm qysh gjatë ditëve të karrierës me zikaltrit, varësi që shkoi deri në atë shkallë sa piu 70 birra në një natë dhe u hodh nga ballkoni i një hoteli.
Kolumbiani, tani 38 vjeç, njoftoi tërheqjen e tij nga futbolli në verën e vitit 2021. Koha e tij në Serie A ishte e lidhur me Interin (2012-2016), ku luajti 141 ndeshje konkurruese, duke shënuar 22 gola dhe dhënë 38 asiste.
Pikërisht në këtë kohë, duke luajtur për zikaltrit, Guarin filloi të binte në grackën e varësisë së alkoolit, të cilën ai e rrëfeu për “Caracol Television”: “Fillova të bëja emër në Itali dhe tashmë atje filloi një çështje tjetër jashtë fushës. Fillimisht e kam trajtuar shumë mirë, jam dehur dy ditë para ndeshjes, më pas dola në fushë, shënova një ose dy gola, mendoj se e gjitha kjo erdhi nga mungesa e ndërgjegjes.
Kam pirë në shtëpi, në disko, në restorant. Unë tashmë kisha familjen time dhe kjo ishte punë m*ti, sepse e dija që po bëja gabime, si në fushë, ashtu edhe në përgjegjësitë familjare. Dështova në të gjitha objektivat e mi, isha plotësisht i varur nga alkooli. Drejtuesit e Interit më thanë përmes agjentit tim që nuk mund të qëndroja më në Milano: Duhet ta largohesh nga këtu, tani!”
Më pas erdhi transferimi i tij në Kinë, më 2016: “Që në ditën e parë që mbërrita atje u bëra alkoolist. Ngrihesha për të shkuar në stërvitje dhe pas saj do të pija patjetër alkool. Do të pushoja pak, do të stërvitesha dhe do të pija alkool. Kjo ishte çdo ditë”.
Guarin preku fundin në sezonin 2019-2020, kur luajti në Brazil me Vasco da Gama: “Gjashtë muajt e parë më bënë të ndihem si njeriu më i lumtur në botë. Më pas erdhi Covid-19, ndarja me gruan… Atje piva 50, 60 apo 70 birra në një natë. Pandemia erdhi, nuk kishte seanca stërvitore, nuk kishte grup, nuk kishte futboll. Shkova në lagjet e varfra (favela) atje në Brazil, shkova në shtrat me ndonjë vajzë pa mbrojtje, e lëshova plotësisht veten.
Shkova të kërkoja rrezikun, adrenalinën, doja të shihja armët, lëvizjen e të varfërve, nuk shqetësohesha për asgjë. Ishin kohë të vështira, kaloja plotësisht i dehur për 10 ditë, më zinte gjumi nga lodhja dhe zgjohesha me një birrë pranë”.
Në ato rrethana tentoi edhe të vetëvritej, rrethanë të cilën e mban mend pak prej dehjes së momentit: “Unë jetoja në katin e 17-të dhe u shkëputa nga jeta, nga gjithçka. Reagimi im ishte të hidhesha nga ballkoni, por aty kishte një rrjetë. U hodha, por rrjeta më ktheu, padyshim që nuk e vura re.
Nuk e kuptoja se çfarë po bëja, nuk e di se çfarë ndodhi. Arrita në pikën ku nuk më interesonte më asgjë për aq kohë sa mund ta lëndoja veten. Dëshmia ime është një plan që Zoti vendos mbi ne, i cili e di se do të arrijë në shumë cepa të botës, do të prekë shumë zemra dhe sigurisht do të shpëtojë jetë njerëzish”.