Kambana alarmi, Partizanit po i mbaron “karburanti”

13 Mars 2019
11:04
back button

Një humbje në kupë, në Elbasan, nuk është fundi i botës për Partizanin, pasi të gjithë e dinë që këtë sezon synimi i vetëm është titulli kampion. Megjithatë, në Shqipëri edhe kupa ka shumë rëndësi, qoftë edhe për ta përdorur si "mall këmbimi" në gjysmëfinale a më tutje, ndaj disfata e së martës ndaj Luftëtarit është një kambanë e fortë alarmi për Partizanin, një alarm që në fakt ka rënë prej javësh.

Kur në fund të janarit të kuqtë fitonin në Korçë, dukej se gjithçka po funksiononte në mënyrë perfekte dhe titulli kishte marrë rrugën e kthimit në kryeqytet. Megjithatë, fitorja e vuajtur në Kamzë dhe më pas një sukses pa ndonjë shkëlqim të veçantë ndaj Kastriotit, duke u sforcuar në pjesën e dytë, treguan se jo gjithçka ishte perfekte në makinerinë e kuqe.

Humbja në Laç nxori në dritë gjithë problemet e skuadrës së Skënder Gegës, që asnjëherë nuk dominoi ndaj kurbinasve dhe dukej se kishte shkuar me mendjen të merrte një pikë, duke e respektuar më shumë sesa duhej një rival që në fakt nuk është se në shtëpi ka ndonjë rendiment më të mirë se në transfertë. Pikërisht Luftëtari, ai që mundi në kupë Partizanin, kishte fituar në Laç dy javë para vizitës së Partizanit, ndaj asnjë justifikim nuk pinte ujë.

Fitorja kundër Flamurtarit qetësoi të gjithë, por duke u marrë së tepërmi me trazirat që shkaktuan pak tifozë të çoroditur, gjithkush harroi që Partizani fitoi me shumë vuajtje ndaj një rivali gjysmak dhe që e luajti gjithë pjesën e dytë me 10 lojtarë, për një gafë të arbitrit.

Derbi duhej të ishte momenti i goditjes vendimtare për shpresat e Kukësit ndjekës, por edhe aty Partizani bëri miminimumin e mundshëm, duke vuajtur ndaj një Tirane shumë më të uritur dhe duke iu afruar golit vetëm me Bruno Telushin.

Pikërisht vlonjati shënoi ndaj Luftëtarit dhe duket se është shpresa e vetme në këtë moment për Partizanin, që konkretizon shumë pak, sepse rastet i krijon. Askush nuk ka shënuar më shumë se Telushi, ndërsa Hebaj ka shënuar 4 gola në vetëm 700 minuta, me Gegën që preferon skemën pa pikë referimi në sulm, që në fakt deri tani e ka shpërblyer.

Problemi është se Partizani duket pa energji, "karburanti" pak nga pak po i mbaron dhe presioni nga pas sa vjen e shtohet. Me siguri, duke parë pas, drejtuesit e Partizanit e kanë kuptuar se gabuan totalisht në janar: ndërkohë që Kukësi mblidhte më të mirët e Superiores, të kuqtë nuk afruan asnjë sulmues dhe firmosën me 4 futbollistë nga jashtë, për të cilët bilanci është tragjik. Vetëm Lum Rexhepi ka rezultuar një goditje e mirë, edhe pse edhe ai ka nisur të ketë probleme fizike, ndërsa Dilaver Duka ka ardhur nga Amerika qartësisht jashtë forme fizike dhe dy afrikanët Mombilo e Jaiteh janë një katastrofë, klubi i ka afruar pa u bërë as testet fizike, të thonë nën zë në ambientet e Partizanit! 

Gjithsesi, nuk është koha për gjyqe, Partizani ka një titull për të fituar dhe më pas dikush ndoshta do të japë llogari për dështimet e merkatos. Dy ndeshjet e radhës janë finalet e sezonit: fitore ndaj Teutës e Kukësit dhe titulli është i Partizanit, në të kundërt, makthet e viteve të fundit mund të përsëriten.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit