Kampion i Europës dhe kthim te Barcelona, flet Dani Olmo: 2024 ka qenë vit i paharrueshëm për mua

26 Dhjetor 2024
8:29
Alfred Lleshi
back button

Dani Olmo ka kaluar një vit 2024 plot emocione të mëdha, përvoja të jashtëzakonshme dhe momente historike. Për mesfushorin katalanas, ky vit ka qenë kulmi i realizimit të ëndrrave që kishte nga fëmijëria, kur ëndërronte të debutonte me Barcelonën dhe kombëtaren spanjolle, si dhe të fitonte trofe me to. Në një intervistë për “MARCA”, Olmo tregon se, megjithëse ka arritur shumë, ka ende ambicie dhe synime për të realizuar.

Një vit i paharrueshëm – “2024 ka qenë një vit që nuk do ta harroj kurrë. Kam pasur mundësinë të fitoj një trofe me Spanjën dhe të rikthehem në shtëpi duke veshur fanellën e Barcelonës”, – thotë 26-vjeçari nga Terrassa.

Olmo u bashkua me Barcelonën në moshën 10-vjeçare, teksa kaloi 6 vite në “La Masia”. Në vitin 2014 u transferua te Dinamo Zagreb, ku konfirmoi talentin e tij, duke fituar 5 kampionate dhe disa trofe të tjerë. Për shumë vite, Barcelona e ndoqi nga afër progresin e tij, me raportime që gjithmonë e cilësonin të jashtëzakonshëm.

Olmo, i cili debutoi me ekipin kombëtar iberik në nëntor 2019, këtë vit jo vetëm e ndihmoi Spanjën të fitonte “Euro 2024”, por ishte edhe një nga golashënuesit më të mirë të turneut, me tre gola, baraz me yje si Cody Gakpo, Harry Kane dhe Jamal Musiala. Në finalen kundër Anglisë, ai ishte titular. Kontribuoi edhe me dy asistime gjatë Kampionatit Europian.

“Ky vit ka qenë shumë i veçantë, por është vetëm fillimi. Ndjej se kam ende shumë për të dhënë”, – shtoi mesfushori. Ambicia dhe vendosmëria janë disa nga cilësitë kryesore që e kanë udhëhequr Olmon drejt një karriere të suksesshme dhe që vazhdojnë ta shtyjnë përpara.

Edhe pse Barcelona u përball me kufizime për shkak të rregullave të “fair play financiar” dhe Olmo ka pasur disa dëmtime, që ndikuan në vazhdimësinë e tij, ai ka luajtur 15 ndeshje këtë sezon (11 në La Liga dhe 4 në Champions League), duke shënuar 6 gola dhe dhënë një asistim.

Trajneri Hansi Flick, i cili e njihte mirë nga koha e tij në futbollin gjerman, e konsideron Olmon një lojtar kyç dhe titullar të padiskutueshëm në skemën e tij.

Pavarësisht se Barcelona nuk pati një përfundim të shkëlqyer të vitit në La Liga, Olmo nuk dorëzohet. Ai e ka dëshmuar këtë gjatë gjithë karrierës: “Dua të fitoj tituj me Barcelonën dhe kombëtaren”.

Në moshën vetëm 26-vjeçare, Olmo ka arritur shumë suksese me ekipin kombëtar spanjoll. Përveç triumfit në “Euro 2024”, ai fitoi “Nations League” në vitin 2023, Kampionatin Europian U-21 dhe mori medaljen e argjendtë në Lojërat Olimpike të vitit 2021. Olmo shpreson të shtojë edhe më shumë trofe në koleksionin e tij të lakmueshëm, si me ekipin e Luis de la Fuente, ashtu edhe me Barcelonën e Hansi Flick.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit