Kampioni i Botës mbron Tuchel nga kritikat e Conte për Lukakun, e quan mburravec

2 Tetor 2021
15:41
Alfred Lleshi
back button

Franck Leboeuf, kampion bote me Francën më 1998 dhe ish-lojtar i Chelsea midis viteve 1996 dhe 2001, ka dalë në mbrojtje të trajnerit aktual të klubit londinez, Thomas Tuchel. Ditë më parë, gjatë duelit të Ligës së Kampionëve mes Chelsea dhe Juventus, Antonio Conte ndërhyri gjatë transmetimit në televizionin italian.

Ai e drejtoi Romelu Lukakun për dy sezone tek Interi, bëri disa komente për performancën e belgut, që nuk kanë qenë fort e mirë te blutë e Londrës: “Ai është një lloj sulmuesi shumë specifik, ka ende vend për përmirësim, por tashmë ka arritur një nivel shumë të lartë. Lukaku ende mund të përmirësohet në disa aspekte të lojës dhe nganjëherë duhet ‘të ndizet’. Te Chelsea ende nuk e kuptojnë shumë mirë si ta përdorin atë. Kur ta bëjnë, do të jenë një nga skuadrat për t’u mposhtur”.

Franck Leboeuf nuk ka heshtur, ndër shumë të tjerë, por ka konsideruar se fjalë të tilla mund të konsiderohen (pothuajse) si një sulm ndaj trajnerit aktual të Lukakut, Thomas Tuchel. “Ai bëri gabim që e tha këtë, – u shpreh Franck në ESPN FC. – Nga këndvështrimi im, Conte po mburrej. Ai po thotë se bëra mirë, se Romelu Lukaku ishte në më të mirën e tij kur më kishte trajner mua. Po, ai dhe Lukaku bënë shumë mirë tek Interi, por nëse lexoni mes rreshtave, Conte thotë se Tuchel nuk po bën mirë. Conte është një ish-trajner i Chelsea, kështu që do të duhej të tërhiqej dhe të ndalonte vetëmburrjen”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit