Kampioni Telushi: Falenderoj Kukësin për gjunjët, premion e vendosim vetë!

14 Maj 2019
9:36
Eraldo Harlicaj
back button

Mesfushori Bruno Telushi ishte ndër futbollistët më të mirë të Partizanit në këtë sezon. "Ushtari i kuq" bëri mjaft mirë, pasi arriti të linte gjurmët e tij me 7 gola në 25 ndeshje të luajtura. Rrjeta prej atyre që vlejnë shumë dhe të japin pikë të rëndësishme. Vlonjati ishte i ftuar në emisionin "Kampionët", në "Vizion Plus" ku foli gjerë e gjatë në lidhje me titullin. 

Ai u ndal fillimisht te metoda e veçantë që përdori trajneri Skënder Gega për të fituar lojtarët dhe për të krijuar një grup të bashkuar. "Kur ishim në fazë përgatitore në Ohër, ai nuk filloi menjëherë ta na bënte stërvitjen, por organizoi disa mbledhje tek e tek. Na pyeti për vështirësitë që kishim pasur në sezonin e kaluar, unë i tregova për problemet që hasa me fizikun, pata shumë dëmtime. Ai diti si të fliste me lojtarët, na kuptoi çfarë karakteresh kishim. Me disa sillej sikur e kishte shok, me disa të tjerë sikur i kishte fëmijë”.

Telushi falenderon Kukësin për deklaratat e tyre në lidhje me gjunjët. "Rivali kryesor ishte Kukësi. Ata na kanë motivuar, i falënderoj me deklaratat që kanë bërë: 'Jo gjunjtë, jo biçikleta'. Na kanë karikuar më shumë". 

28-vjeçari e pranon se ekipi i Partizanit nuk u nis për titull kampion dhe se nuk kishte presion në këtë pjesë. "Nuk e kishim objektiv dhe kjo ishte mirë për grupi, pasi nuk ishte ai presioni: ‘O kampion o s’ka’. Pas javës së 10-të grupi filloi ta kuptonte se titulli ishte i mundshëm”. 

Titulli është fituar dhe tashmë flitet për premion. Presidenti Demi duket se është treguar bujar dhe në këtë drejtim. “Jemi ulur me presidentin dhe na ka thënë: 'Djema mendojeni vetë shifrën e premios'. Gjithsesi ne lojtarët ende nuk jemi mbledhur që të vendosim për këtë gjë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit