Sulmuesi i Bayern Munich, Harry Kane, mezi po e pret startin e sezonit të ri. Ai është rikthyer së fundi në radhët e gjigantëve bavarezë, pas përfundimit të pushimeve të tij (mbas Kampionatit Europian). Bayern Munich kaloi një përvojë me të cilën nuk ishte mësuar.
Në sezonin 2023-2024 nuk fitoi dot asnjë trofe midis atyre që ishin në dispozicion. Qendërsulmuesi anglez, duke folur për “Bild”, e bëri të qartë se dëshiron t’i ndihmojë bavarezët të kthejnë menjëherë trendin negativ: “Dua të vazhdoj të shënoj gola dhe të ndihmoj ekipin. Një gjë është e qartë: ne duhet ta kthejmë Bayernin në rrugët e fitoreve”.
Ndërkohë, Bayern Munich do të përballet me SSV Ulm në raundin e parë të Kupës së Gjermanisë dhe Kane po “vë bast” gjithçka për trajnerin e ri, Vincent Kompany: “Jam shumë i emocionuar të shoh se si do të shkojë me trajnerin e ri, si do të luajmë.
Do të kemi shumë raste për të shënuar, kjo është mënyra perfekte për të luajtur, siç e shoh unë. Padyshim që do të ketë më shumë punë, e vura re që në 10 minutat e para kundër Tottenhamit. Ishin 10 minuta shumë të vështira, por më pëlqen ky intensitet, më pëlqen ta fitoj topin sa më shpejt të jetë e mundur”.