Kante ia kujton trajnerit të sotëm: E mban mend kur të refuzova për te PSG…

4 Mars 2021
14:32
Alfred Lleshi
back button

N’Golo Kante pranon se e ka refuzuar më herët mundësinë për të punuar me Thomas Tuchel te PSG, ndërsa të dy tashmë duan të shijojnë suksesin te Chelsea. Dy herë kampioni i Premier League është një nga lojtarët më të mirë në rolin e tij. Parizienët kërkonin ta blinin për ato cilësi në një fazë kur kishin në stol trajnerin gjerman.

I pyetur nga faqja zyrtare e Chelsea, nëse kishte qenë “target” i Tuchel në të kaluarën, Kante tha: “Në të kaluarën kisha disa kontakte me PSG, kur Tuchel ishte trajner atje, por nuk ishte diçka që unë e doja. Nuk ndodhi, sepse isha i lumtur te Chelsea dhe qëndrova këtu. Unë nuk kam folur me trajnerin për këtë”.

Po pse Kante ishte kaq i kërkuar? 29-vjeçari gëzoi një ngritje meteorike të famës, pasi u shkëput nga Leicester më 2015. Sezoni i tij i vetëm me “Foxes” e tundoi Chelsea të paguante 32 milionë stërlina, që të siguronte shërbimet e tij. Një tjetër kurorë e nivelit të lartë u mor prej tij në sezonin debutues me blutë, titulli kampion, së bashku me çmimin “PFA Lojtari i Vitit”. Lavdia ndërkombëtare me Francën do ta ndiqte më pas, kur fitonte Kupën e Botës më 2018.

Tuchel ka pranuar se kishte tentuar ta merrte në “Parc des Princes”, duke u thënë gazetarëve në janar: “Unë doja për shumë vite që ta kisha N’Golo Kante në ekip, tani e kam atë këtu, gjithashtu Olivier Giroud. E kam ndjekur Premier League për shumë vite, si në Dortmund, ashtu edhe në Paris, kështu që kam një pamje të qartë të asaj se çfarë janë të aftë të bëjnë djemtë”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit