Kaos te Roma, drejtori sportiv kërcënon tifozët!

7 Mars 2019
16:24
back button

Eliminimi nga Liga e Kampioneve ka zhytur në depresion Romën, ndërsa tifozët janë të dyzuar, sepse nëse një pjesë e kanë me arbitrin që i ndëshkoi në Porto, pjesa tjetër e kanë me klubin, duke nisur nga presidenti Pallotta e deri tek trajneri Eusebio Di Francesco.

Ky i fundit është pranë shkarkimit, por situata është shumë e tensionuar dhe edhe drejtori sportiv Monchi është kthyer në armik për shumë tifozë.

'Corriere dello Sport' shkruan sot se rreth 15 tifozë verdhekuq u bashkuan me ekipin në aeroportin Francisco Sá Carneiro në Porto, ndërsa pati ofendime për të gjithë, por në shënjestër ishte drejtori sportiv spanjoll.

"Na shkatërrove skuadrën", ishte fraza më e rëndë drejtuar ish-drejtorit të Seviljes, i cili nuk duroi dhe shkoi tek tifozët, fillimisht për të diskutuar, por më pas, përballë ofendimeve, Monchi e humbi durimin.

"A jeni më të zotë ju? Vij dhe ju kap një nga një në këto 6 muaj!".

Natyrisht, një ngjarje e rëndë, për të cilën edhe vetë Monchi pasditen e së enjtes ka folur, duke kërkuar falje publike me një mesazh në Twitter: "Kam lexuar që fjalët e mia janë raportuar në mënyrë të pasaktë. Është e vërtetë që ka pasur një moment nervozizmi, për shkak të zhgënjimit të madh që ndjejmë të gjithë. U kërkoj falje gjithë tifozëve dhe në veçanti atyre që ishin në aeroport në atë moment. Forca Roma!".

Lajme të tjera

Lajmet e fundit