Kapi prej fyti dhe pështyu kundërshtarët, Luis Suarez rrezikon pezullim të gjatë (video)

1 Shtator 2025
9:35
Alfred Lleshi
back button

Luis Suarez, sulmuesi i Inter Miami, mund të përballet me një pezullim të gjatë pas veprimeve të tij, pas humbjes 3-0 ndaj Seattle Sounders në finalen e “Leagues Cup”. Golat për Sounders i shënuan Osaze De Rosario, Alex Roldan dhe Paul Rothrock. Megjithë fitoren brilante të Seattle, vëmendja pas ndeshjes u fokusua te sjellja e pahijshme e Suarez.

Ish-sulmuesi i Barcelonës u përfshi në përplasje të vogla gjatë ndeshjes, ndërsa pas fundit të saj gjithçka u thellua kur tentoi të kacafytej me mesfushorin 20-vjeçar Obed Vargas, duke e kapur për qafe, para se të ndërhynin lojtarë të tjerë. Në pamje duket edhe një grusht në të rrëshqitur i Sergio Busquets, ndaj lojtarit në fjalë.

Luis Suarez u filmua teksa fyeu drejtorin e sigurisë së klubit vendës, Gene Ramirez, madje pamjet sugjerojnë se ai edhe e pështyu. Ky incident vjen pas një ndeshjeje të tensionuar dhe vetëm sa shton listën e gjatë të polemikave që e shoqërojnë karrierën e sulmuesit uruguajan, ku spikasin kafshimet ndaj Otman Bakkal, Branislav Ivanovic dhe Giorgio Chiellini.

 

Lajme të tjera

Lajmet e fundit