Kapiteni Amir Rrahmani akuzoi tifozët rumunë për thirrje raciste kundër kosovarëve dhe tha se i kërkoi arbitrit danez Morten Krogh që të merrte masa, gjë që nuk ndodhi, duke çuar në vendimin për ta larguar skuadrën nga fusha.
Mbrojtësi i Napolit kërkoi që UEFA dhe FIFA të marrin masa ndaj Rumanisë pas ngjarjeve të ndodhura në Arenën Kombëtare. “Sonte pati fyerje dhe thirrje raciste gjatë gjithë ndeshjes. Kam kërkuar tre herë që të merren masa.
Hyra në dhomat e zhveshjes dhe situata u përkeqësua edhe më shumë. Për këtë arsye vendosëm të mos kthehemi në fushë. Kërkoj që UEFA dhe FIFA të marrin masat e nevojshme.
Vendi ynë ka një të kaluar të vështirë. Kishte luftë, kishte masakra dhe nuk ishte e lehtë të arrije deri këtu. Kosova është Kosovë dhe kështu do të mbetet”, ka thënë Amir Rrahmani.