Kapiteni Gjimshiti i bindur: Do ta vëmë në vështirësi Anglinë, le të jemi ne të parët që t’i shënojmë gol

15 Nëntor 2025
17:29
Telesport
back button

Berat Gjimshiti ka dalë përkrah trajnerit Sylvinho në konferencën e sotme për shtyp, para sfidës ndaj Anglisë, e fundit për këto kualifikuese. Anglia ka siguruar vendin e parë dhe biletën për në Botëror, Shqipëria vendin e dytë që të dërgon në play-off.

“Do të jetë një ndeshje si të gjitha të tjerat në këto kualifikuese. Do të futemi në fushë dhe duhet të japim maksimumin. E kemi arritur “play off”, por sërish është një ndeshje e rëndësishme. Do të japim gjithçka në fushë për të vënë në vështirësi kundërshtarin.  Meqenëse ata nuk kanë pësuar asnjë gol në këto kualifikuese, shpresoj të jemi ne të parët që të shënojmë golin e parë.

Nuk e di nëse jemi mbrojtja më e mirë në histori të Shqipërisë, këtë e gjykojnë të tjerët nga jashtë. Nuk është vetëm mbrojtja, por gjithë ekipi që mbron. Kemi një organizim shumë të mirë, ndaj nuk ka rëndësi kush luan.

A do e kemi të vështirë ndaj Harry Kane? Të gjithë e kanë të vështirë ndaj tij.  Edhe nëse luan Foden, prapë do të jetë e vështirë. Do mbrojmë si skuadër dhe do sulmojmë si skuadër”, tha Gjimshiti.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit