Sulmuesi i Francës, Randal Kolo Muani, në prag të ndeshjes gjysmëfinale ndaj Spanjës sot në mbrëmje, ka folur për eksperiencën e tij në Euro 2024. Ai u shpreh i kënaqur me ecurinë e kombëtares së tij, duke shpresuar që sot të bëjnë edhe një hap të rëndësishëm drejt finales.
“Është një ndjenjë e mrekullueshme të arrish në gjysmëfinale dhe ne jemi shumë krenarë për lojën që bëmë. Ne ishim të mirë në mbrojtje dhe, edhe nëse nuk arritëm të shënonim, qëndruam të vendosur deri në fund. U treguam të aftë te penalltitë dhe u kualifikuam”, tha Kolo Muani.
“Karakteri ka qenë gjithmonë forca jonë. Ne të gjithë jemi të fortë dhe shumë të sigurt për veten tonë. Jemi të bashkuar dhe kjo është shumë e rëndësishme për ne. Kjo është ajo që do të na çojë deri në fund të turneut”, tha sulmuesi francez.
Kolo Muani beson se mbrojtja ka qenë arma e fortë e Franës në këtë turne: “Ne të gjithë mbrohemi së bashku, luftojmë së bashku dhe japim gjithçka për njëri-tjetrin, siç ka ndodhur që nga fillimi i turneut. Ky është çelësi i suksesit tonë”.
Në fund, për sfidën ndaj Spanjës, ai shtoi: “Spanja është një ekip i shkëlqyer, do të jetë një ndeshje shumë e mirë. Ne jemi gati. I gjithë ekipi do të jetë gati. Nuk kemi frikë nga askush, jemi shumë të sigurt dhe solidë. E dimë që kanë shumë cilësi, por ne jemi një grup shumë i bashkuar. Kjo do të na çojë në finale”.