Të gjithë presin me padurim ndeshjen çerekfinale të Euro 2024, ku do të përballen mes tyre Gjermania organizatore dhe Spanja, deri tani e pathyeshme në këtë turne. Një finale e parakohshme, ku spektakli s’do të mungojë.
Ilkay Gündogan, mesfushori i Gjermanisë, ka folur për këtë ndeshje, duke dhënë opinionin e tij për mënyrën se si do të luajë kombëtyarja vendase: “Unë nuk mendoj se duhet të fshihemi nga Spanja, pasi edhe ne gjithashtu kemi cilësi të mëdha”.
“Spanjollët na respektojnë më shumë se sa e pranojnë publikisht. Yamal? I veçantë, por duhet thënë se ai ka ende shumë për të mësuar. Problemi është se nëse e humbet topin shumë shpejt, ai bëhet lojtari kryesor i tranzicionit për Spanjën”, tha Gundogan për shokun e skuadrës te Barcelona.
Duke folur më tej për këtë ndeshje, ai shtoi: “Në këtë ndeshje do të përballen me njëra-tjetrën dy nga ekipet më të mira të këtij Kampionati Europian. Nuk ka më sekrete, do të jetë lojë e hapur dhe ku do të fitojë ai që gabon më pak e shfrytëzon më mirë rastet e krijuara.”