Khabib rrëfehet për sherrin pas sfidës me McGregor: Isha shqiponjë e uritur, doja të kafshoja zemrën e dikujt

1 Shtator 2024
10:54
Telesport
back button

Khabib Nurmagomedov, ish-kampion bote në peshën e lehtë, ka rrëfyer se donte të “kafshonte zemrën e dikujt” gjatë përleshjes ikonike me Conor McGregor në eventin UFC-229, në vitin 2018. Atë sfidë, rusi i pamposhtur e fitoi me KO teknik në raundin e katërt, por pas duelit pati një sherr masiv.

Fansat nuk mund t’u besonin syve kur Nurmagomedov kërceu mbi kafaz për të shkaktuar një përleshje masive mes tifozëve. Khabib po kërkonte të përballej me Dillon Danis, shokun e skuadrës së McGregor, ndërsa një numër i shoqëruesve të dagestanit u hodhën në kafaz për të sulmuar irlandezin.

Duke reflektuar për përleshjen, Nurmagomedov për podkastin “Inspire Me” tha: “Ishte një kohë shumë emocionuese, por në të njëjtën kohë, ishte ndjenja ime. Doja shumë të kafshoja zemrën e dikujt. Thjesht u përpoqa t’i kafshoja zemrën”.

Legjenda e MMA, vazhdoi: “Ndoshta mund ta ndjeni këtë. Unë jam shqiponja (the eagle, nofka e rusit), dhe kur shqiponja është e uritur, nuk është mirë. Ajo duhet të gjuajë. Kjo është arsyeja pse. Isha i frustruar nga gjithë ai tension”.

Eventi UFC-229 do të mbetet në histori si një nga netët më të shquara në historinë e MMA. Tensioni mes Nurmagomedov dhe McGregor arriti pikën e vlimit shumë përpara se të dy të hynin në tetëkëndësh. Mosmarrëveshja e tyre ishte personale, pasi kishte ardhur nga një sërë ngjarjesh që përshkallëzuan armiqësinë midis dy kampeve.

Dana White, presidenti i UFC, dënoi përleshjen, por pranoi presionin dhe emocionet e pafundme që çuan në luftë. Sidoqoftë, eventi shiti mbi 2.4 milionë blerje me pagesë për shikim (PPV), duke e bërë atë ngjarjen më të suksesshme në historinë e UFC në atë kohë.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit