Pasi ka përmbyllur me sukses rinovimet e kontratave të Manuel Neuer, Alphonso Davies dhe Jamal Musiala, Bayern Munich tani pret të mësojë të ardhmen e Joshua Kimmich. Mbrojtësi i djathtë gjerman, i cili është përshtatur në mënyrë të shkëlqyer edhe si mesfushor, po i afrohet moshës 30-vjeçare dhe kontrata e tij me klubin bavarez përfundon në fund të këtij sezoni, duke e lënë ende të pasigurt të ardhmen.
Ish-trajneri i Gjermanisë, Joachim Löw, i ka dhënë një këshillë publike Kimmich, duke i sugjeruar të largohet nga Bayerni për të provuar një aventurë jashtë vendit. Pikërisht për këtë çështje ka folur edhe drejtori sportiv i Bayernit, Max Eberl, në konferencën për shtyp të ditës së djeshme.
“Besoj se Joshua Kimmich dëshiron ta ketë vetë në dorë fatin e tij. Ai merr shumë këshilla, por tani po fokusohet tek vetja dhe familja e tij”, – u shpreh drejtori bavarez për SPORT1, në prag të sfidës së madhe mes Bayer Leverkusen dhe Bayern Munich.
Löw, gjatë intervistës së tij në emisionin “Meine Geschichte”, kishte deklaruar: “Në vendin e tij, me gjithë këto mundësi, do ta bëja këtë hap. Kam jetuar jashtë Gjermanisë dhe kam pasur këtë eksperiencë personalisht. Mund të mësosh shumë nga kultura të tjera, nga ide të ndryshme, filozofi të ndryshme loje dhe stile të ndryshme jetese. Kjo eksperiencë më ka ndihmuar shumë në zhvillimin tim”.
Eberl nuk vonoi t’i përgjigjej: “Shumë njerëz shprehin opinionin e tyre dhe shumë të tjerë janë të ftuar ta bëjnë. Kur flasim për liderë, flasim për Josh. Ai e di saktësisht se çfarë dëshiron nga karriera e vet”. Ndërkohë, bisedimet për rinovim kontrate kanë qenë në zhvillim prej javësh, por Kimmich ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar.







