Kjaer jep kushtrimin te Milani: Kurrë nuk jam dorëzuar, besoj 100% te titulli

30 Nëntor 2021
13:36
Alfred Lleshi

“Momenti më i mirë i karrierës sime? Absolutisht po. E ndihmova Milanin të rikthehet në Champions League, këtë vit po luftojmë për titull. Gjithmonë e kam parë karrierën time si një rrugë rritjeje, kurrë nuk jam dorëzuar. Nuk kam pasur kurrë dyshime për aftësitë e mia, nuk është çudi që jam këtu”. Simon Kjaer konfirmon ambiciet maksimale të Milanit. Mbrojtësi danez shpenzon fjalë të rëndësishme lavdërimi për trajnerin Pioli:

“Kam pasur shumë trajnerë të mëdhenj në karrierën time. Tani te Milani kam një trajner si Pioli që beson tek unë, më lë të bëj punën time, e dëgjoj dhe më dëgjon. Edhe skuadra më dha një dorë të madhe, u rritëm bashkë. Kam fituar përvojë gjatë shumë viteve, edhe familja me fëmijët më ndihmojnë. Jemi të lumtur me jetën tonë në Milano”, – tha ai për “Sky Sport”.

Mbrojtësi i Milanit ishte i pranishëm në Paris, në ceremoninë e “Topit të Artë”, ku mori një vlerësim të veçantë për ndihmën që i dha shokut të kombëtares, Christian Eriksen, qershorin e kaluar, gjatë Danimarkë-Finlandë në Kampionatin Evropian. Kjaer nuk i fsheh ambiciet e kuqezinjve:

“Ne e dimë që pritshmëritë janë të mëdha tani, në një farë kuptimi është edhe faji ynë, pasi gjatë intervistave të gjithë themi se duam të përmirësojmë rezultatin e sezonit të kaluar. Për ta bërë këtë mund të fitojmë vetëm titullin. Është e drejtë të kemi presionin e duhur që na bën të luftojmë për titull. Edhe kundër Atleticos luftuam deri në fund dhe fituam”.

Lojtarët kuqezinj besojnë te kualifikimi më tej në Champions League: “Absolutisht, ne duhet ta përballojmë çdo ndeshje si finale, shpresojmë që kundër Liverpool-it të jetë një mbrëmje fantastike, së bashku me tifozët tanë”. Për luftën e titullit në Serie A, Kjaer shtoi: “Unë besoj në të 100%, është çështje mentaliteti. Duhet të mendojmë për veten, jo për ekipet e tjera, kjo varet vetëm nga ne”.

Lajme të tjera

Lajmet e fundit