Antonio Conte ishte i kënaqur që Romelu Lukaku shpëtoi Napolin në debutimin e tij kundër Parma-s, por e konsideroi “absurde” merkaton.
Lukaku më në fund mbërriti nga Chelsea, por 48 orë më vonë tashmë po luante dhe po shënonte, ndërsa Scott McTominay dhe Billy Gilmour u prezantuan para tifozëve përpara fillimit të ndeshjes.
Nuk është sekret që Conte ka qenë i pakënaqur nga situata që merkato mbetet hapur edhe pas fillimit të Serie A.
“Është një situatë absurde, trajnerët duhet të stërvitin lojtarët që do të largohen dhe të presin lojtarë me të cilët nuk kanë punuar kurrë dhe nuk e dimë në çfarë gjendje do të jenë kur të mbërrijnë”, tha Conte.
“Futbolli po evoluon gjatë gjithë kohës, por duhet të ketë dikush që shikon këtë rregull qesharak që dëmton të gjithë trajnerët dhe klubet.
“Ne kishim zero mesfushorë në stol, pasi Iaccarino dhe Saco ikën në huazim. Na u desh të lutemi që asgjë të mos ndodhte me Lobotkën dhe Anguissa, shpresoj se gjërat mund të ndryshojnë në të ardhmen, duke parë se të gjithë janë të gatshëm të ndryshojnë formatet dhe rregullat.
“Lukaku kishte dy seanca stërvitore në këmbë, Neres mbërriti vetëm së fundmi, tani do të përpiqemi të shfrytëzojmë sa më shumë pushimin për ndeshjet e kombëtareve. Nuk do t’i kemi McTominay dhe Gilmour deri javën e ardhshme, kështu që bëhet vërtet e vështirë të punosh në këtë mënyrë”.